U PËRURUA LIBRI MONOGRAFIK “MARASH GOJANI – VEPRIMTAR DHE HUMANIST I DIASPORËS”

0
1019

NË KLINË

AUTORËT ÇERKIN BYTYÇI DHE MIKEL GOJANI

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Jeta dhe veprimtaria e shquar atdhetare, z. Marash Gojani, është një shembull i mirë që duhet ndjekur secili njeri që i thotë vetës së tij shqiptar pavarësisht se ku gjendet ai. Si i tillë ky shqiptar devotshëm me vlera gjithëpërfshirëse është tamam një portret e model për brezat e rinj se si ndershëm, me punë, mund e djersë, mund të kontribuosh jo vetëm për veten personale, por edhe në tabanin e përgjithshëm kombëtar si aktivist i palodhur i kauzës kombëtare.

Veprimtarin e çmuar i kauzës kombëtare z. Marash Gojanin, personalisht aq nuk e kam njohur, mirëpo për veprimtarin e tij kam dëgjuar gjatë kohës së para luftës dhe me pas, kam dëgjuar për të edhe nga miqtë e mi, njëkohësisht edhe përmes gazetave ditore e ato të sotme elektronike, por me tepër e kam njohur përmes librit monografik “Marash Gojani veprimtar dhe humanist i diasporës”, në bashkautorësi të Çerkin Bytyqit e Mikel Gojanit, libër që më është dhuruar para pak javësh nga shkrimtari i mirënjohur shqiptar prof. Mikel Gojani. U botua nga Shtëpia Botuese “SHKËNDIJA”, Prishtinë 2017.

Redaktor, Luz Thaqi; redaktor gjuhësor: SulejmanDërmaku, përgatitja teknike: ArmendVeliu. U shtyp në Shtypshkronjën “SIPRINT” – PRIZREN. ISBN: 978-9951-532-59-4. Duke iu referuar librit në fjalë, me plot bindje nga këndi im vlerësoj se autorët Çerkin Bytyqit e Mikel Gojani, ia arritën synimeve të tyre finale jo vetëm nxjerrë të portretizojnë veprimtarinë atdhetare e humaniste të z. Marsh Gojanit, por përmes tij vet bashkautorët e këtij libri kanë nxjerrë edhe figura të tjera kontributdhënënëse të bashkëfamiljarëve të tij dhe aktivitete të tjera gjithëpërfshirëse të familjes Gojani nga Dugujeva e Klinës e mërgata euroatlantike.

Muaj më parë në qytetin Singen të Gjermanisë, është përuruar libri “Marash Gojani veprimtar dhe humanist i diasporës”, libër monografik i përgatitur nga shkrimtaret Çerkin Bytyçi dhe Mikel Gojani. Libri në fjalë pasqyron kontributin dhe rrënjët e familjes Gojani nga Dugajeva e Klinës.

Andaj siç informohemi nga terreni, sot në orët e pasdites në ambientet e restorant “FENIX’ në Klinë, në pjesëmarrjen e shumë miqve e artdashësve Klinas dhe të tjerë është përuruar libri “Marash Gojani veprimtar dhe humanist i diasporës”në bashkautorësi të Çerkin Bytyqit e Mikel Gojanit. Në panel merrnin pjesë: prof. Anton Kolaj, prof. Pal Canaj, Luz Thaqi, Çerkin Bytyçi dhe Marash Gojani.

Moderimin e këtij evenimenti të sotëm e bëri prof. PalCanaj, i cili që në fillim i falënderoj të gjithë të pranishmit njëkohësisht në veçanti e falënderoj veprimtarin e spikatur të kauzës kombëtare ish-nënkryetarin e LDK-së prof. Anton Kolaj, ish- ambasadorin e Kosovës në SHBA, respektivisht anëtarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës z. Bekim Sejdiu, ish- Kryetarin e Komunës së Klinës prof. Prenk Gjetaj, gazetarin dhe doajenin e kulturës shqiptare prof. Frrok Kristaj, anëtarin e kryesisë “Vatra”, z. Besim Malota, drejtorin e Drejtorisë së Arsimit prof. Hajdin Morina, publicistin prof. Rexhep Dedushaj dhe gazetarin e mirënjohur Lekë Musollin, njëkohësisht për punën e vyer rreth librit i përgëzoj edhe bashkautorët Çerkin Bytyqin dhe Mikel Gojanin. Me pak fjalë moderatori prof. Canaj foli për protagonistin e librit mërgimtarin dhe veprimtarin e mirënjohur Marash Gojani.

Në pjesën e parë me kumtesë u paraqit Mehill Velaj, i cili veç tjerash tha se kur Fridrih Niçe jepte përgjigjet e tij se përse shkruan, dhe përgjithësisht, përse shkruan libra të mirë, ai nënvizonte: duhet të jesh një gjeni i zemrës, nga prekja e të cilës secili do të ketë mundësinë të bëhet më i pasur, më i pasur në vetvete, ndoshta më i ndjeshëm, më i thyeshëm nga pasiguritë, furitë, por gjithnjë e gjithnjë pajisesh me vullnet të ri…” Kjo thënie e Niçes së madh vlen edhe për autorët të këtij libri, Çerkin Bytyçin dhe Mikel Gojanin, të cilën kanë sjellë në dritë këtë libër që flet për Njeriun me Emblemën e humanizmit dhe të atdhetarizmës, Marash Gojanin. Ju vetëm ky libër, por secili nga librat e Bytyçi dhe të Gojanit, e kanë të veçantën e tyre. Në radhë të parë, le të jetë kënaqësia e përvojës intelektuale që ata ia dhurojnë lexuesit kënaqësinë e kësaj përvoje.

Pra, shkrimi dhe botimi i një libri, me trajtat e tij të shumta të shkrimit, ta krijon mundësinë të jesh i hapur me njerëzit, me miqtë – që nga rrëfimi në veten e parë e deri te kronologjia jetësore, që nga kumtesat e opinionet e deri te raportet e trajtat e ndryshme publicistike të informacionit, që nga intervistat e dialogët e deri te trajtat e recensionit e të promovimit… Dhe këtë e konsideroj si parim etik. Si parim të hapjes me miqtë e me rrethin, me kohën e me shoqërinë. Së këndejmi, trajtën e lëndës së këtij libri, autorët Bytyçi dhe Gojani, e kanë strukturuar në tetë njësi të pasura tematike, për ta dhënë figurën e një veprimtari e idealisti shqiptar në shumë plane, ashtu sikundër shprehen autorët, si figurë shumëdimensionale dhe me veprimtari të tillë shumëdimensionale.

Ndërsa,Luz P. Thaqi, publicisti nga Nju Jorku, i cili është edhe redaktor i këtij libri ka folur për vlerat e librit dhe theksoi se Marash Gojani, si një prezantim të njërit prej mërgimtarëve, që në numër janë tejet të shumtë, që ia kushtuan një jetë atdheut, për të mbetur si vlera të pashlyera të lëvizjes sonë kombëtare në rrugëtimin tonë aq të gjatë dhe të shumëpritur – të lirisë sonë me shekuj të munguar. “Këtë trashëgimi të lashtë fisnike – atdhedashurinë, si një vlerë historike dhe kombëtare, në letrat tona shqipe, ua kemi borxh që t’ua lëmë thesar shumë të çmuar studiuesve, historianëve dhe, mbi të gjitha breza të rinj që do të vijnë”, ka pohuar publicisti Luz P. Thaqi.

Ishte shkrimtari e simboli i krijimtarisë shqiptare prof. Prend Buzhala, i cili me anë të kësaj kumtese të prezantuar foli rreth këtij libri andaj potencoi duke thënë se vëllimi “Marash Gojani veprimtar dhe humanist i diasporës” e luan rolin e zhanrit publicistik, dokumentar, historik, dhe, pse jo, edhe shkencor, ashtu sikundër e luan edhe rolin e angazhimit kulturor të drejtpërdrejtë; e luan rolin e përhapjes së të vërtetës së veprimeve, ideve, vizioneve, mendimeve, qëndrimeve e të formave tjera të shkrimit dëshmues.

Autorët, për këtë libër, kanë bërë kërkime për një kohë të konsiderueshme, në funksion të eksploruesve të kujdesshëm e të mprehtë, në kërkime e hulumtime të arkivave dhe gazetave dhe kanë përmbushur këtë material me vlerë që e kanë përpunuar në këtë libër. Me siguri, kërkimet e këtyre autorëve të bërë edhe gjer me tani, do të pasurohen edhe nga të tjera të një vizioni më të gjerë e më në brendësi, në të ardhmen. Pra, ky fryt i punës së këtyre autorëve është peng nderimi ndaj protagonistit të këtij libri, Marash Gojanit, ndaj Diasporës dhe ndaj kulturës kombëtare shqiptare përgjithësisht.

Ndërsa në pjesën e dytë me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe Anton Gojani, Çerkin Bytyçi (në emër te autorëve) e Marash Gojani, në cilësinë e protagonistit të librit dhe pjesa e tretë ishte bisedë e lirë tematike (diskutime rreth librit, përshëndetje nga të pranishmit). Fare në fund të këtij promovimi për të pranishmit të këtij evenimenti u shtrua edhe një drekë solemne.

Dhe, kështu vlen të potencohet dhe të përmbyllet ky raport se përmbledhja e këtij libri del vërtetë një enciklopedi në vete e mendimit njerëzor. Prandaj, ne e urojmë dhe i përgëzojmë shkrimtarët Bytyçi e Gojani, për këtë përmbledhje kaq interesante, njëkohësisht atdhetarit e humanistit të devotshëm shqiptar të kauzës z. Marsh Gojanit, i dëshirojmë shëndet e suksese,ndërsa lexuesve urojmë lexim e studim të këndshëm!