VANDEJA SHQIPTARE

2
1750

Nga Marcel Hila

Si gjë të parë, ju falendëroj për ftesën që më keni bërë për të marrë pjesë në këtë konferencë shkencore me temë shumë të rëndësishme “Shkodra në vitet e vendosjes së diktaturës komuniste 1945-1953”.

Duke hedhur sytë në rreshtat që përmbante ftesa, lexova që relatorët janë të rekomanduar të flasin kryesisht rreth argumenteve si: organet e punëve të brendshme të kësaj periudhe, sistemet e përndjekjes, ata të reparteve të ndëshkimit e të ushtrisë, çështje këto me mjaft interes e pak të ndriçuara deri tani nga studimet e kryera, kryesisht nga studiues të pavarur.

Pa humbur kohë, po kaloj në temë. Për nevojë të diskutimit, na duhet ta marrim si të mirëqenë faktin se ata që erdhën me datën 29 nëntor të vitit 1944 në Shkodër, ishin trupa ushtarake që u ishin vënë pas ushtrive pushtuese për t’i dëbuar nga ky vend. Meqë çlirimi kryhet, forca ushtarake, sapo e mbaron misionin e saj, siç ndodh zakonisht kudo, çmobilizohet e njerëzit dërgohen në shtëpitë e tyre. Por tek ne kjo nuk ndodhi. Kjo masë, e ashtuquajtur “çlirimtare”, sapo armiku pushtues e kaloi kufirin e vendit, si një vërshim ujërash të pista e plot baltë, sulmoi dhunshëm jetën dhe njerëzit e kësaj zone.

Si në kronikat televizive, ku shohim rrebeshe ujërash që mbushin qytetet, depërtojnë në shtëpitë, mbulojnë dyqanet, prishin vendet e punës, bllokojnë trafikun, rrënojnë orenditë, ndërsa në fshatrat mbysin kafshët e bagëtitë, përmbytin shtëpitë, marrin me vete bereqetin e ushqimet, ja, kështu ndodhi që në fillim: një përmbytje që erdhi me baltë e llum, nga ata që deklaroheshin çlirimtarë, por që rezultoi se ishin hordhi të dala nga sgafellat më të errta të Jugut, aradhë njerëzore të mbushura plot urrejtje e helm ideologjik. Masakrat e terrorin që bënë këta, nuk e bënë as pushtuesit në pesë vitet e luftës së dytë botërore, edhe pse ishin okupatorë. E bënë bijtë e popullit shqiptar, këta të ashtuquajtur “çlirimtarë”, që u digjej xhani për lirinë. Këta pushojnë të jenë të tillë brenda dite e në çast shndërrohen në xhelatë e kriminelë.

Këto hordhi që janë derdhur rrugëve e shesheve janë veglat që po përdorte udhëheqja komuniste, ndërsa po vendos diktaturën në Shkodër e në zonën përreth. Një pjesë të tyre e nis për në Jugosllavi, në ndihmë për instalimin e diktaturës në Kosovë si dhe për t’ua dorëzuar forcave të Titos kundërshtarët nacionalistë. Por të kthejmë në vendin tonë, e më saktësisht, në Shkodrën tonë.

Jam dakord se është i domosdoshëm një studim rreth argumenteve të përmendura në ftesën, por jo që të mjaftohemi me vetëm këta. Fokusimi duhet të shtrihet edhe në aspekte të tjera që tregojnë se kur “bota e re” po instalohej, u kryen masakra njerëzore, padrejtësi, grabitje, dhunë, e mizori unike e që u manifestuan hap pas hapi. Këtë na e sugjerojnë ngjarjet. Të shohim kronologjinëë e tyre.

Që ditën e parë, dhunshëm, morën institucionet e shtetit, prefekturën, bashkinë, bankën, repartet ushtarake, por po ashtu gllabëruan shumë shtëpi, sepse në to do të hynin drejtuesit më të rëndësishëm komunisto-ushtarakë, të ardhur nga malet. Shtëpia e Kokës merret e bëhet komanda ushtarake e veriut, në zyrën më të rëndësishme të së cilës ka zënë vend Tuk Jakova. Më vonë, kjo ndërtesë do të bëhet komiteti i partisë i qarkut dhe i rrethit. Të nesërmën e hyrjes ia morën shtëpinë e sapondërtuar tregtarit Lec Shkreli, që është në Piacë, aty ku deri në fund banoi Muho Asllani! Po si e morën Arçipeshkvinë? Mehmet Shehu shkoi për vizitë për Pashkë, me datën 1 prill 1945, tek imzot Gasper Thaçi, një javë pasi kishin pushkatuar don Ndre Zadejën. Imzoti, pas kësaj vrasjeje, kishte rënë në krevat, i sëmurë me zemër.

Nuk e priti. Atëherë, për hakmarrje se Arqipeshkvi nuk i doli, Mehmeti dha urdhër që godina katërkatëshe të merrej. U mbush plot me oficerë sigurimi, të ardhur nga jugu. Sa padrejtësi janë kryer kështu? Sa ishin ato familje që u detyruan të largoheshin ose të tkurreshin, për t’u bërë vend xhelatëve të vet? Kur isha fëmijë, te pragu i shtëpisë së Dabërdakëve, shihja plaka me shami të zeza në kokë, që rrinin te dera e soditnin dynjanë. Kishin ardhur bashkë me bijtë e tyre nga Jugu e që tani punonin policë birucash. Kuvendi i fretërve u mor e u bë banesë kolektive. Aty ishte mbledhur një llum i frikshëm njerëzish. Mbaj mend, meqë e kisha shtëpinë afër, policin Visho nga fshatrat e Vlorës, një pervers imoral. Nëse bëhet një studim me temë “Pushtimi i shtëpive qytetare nga jugoro-komunistët”, me shifra pamja del e frikshme, me cilësi njerëzore, e përbindshme!

Sa ishin banesat që u sekuestruan? Nuk e kemi një shifër. Ahmet Bushati thotë se tek Truma e Dugajëve të Reja kishte parë lista të afishuara në një stendë me emrat e atyre që u ishin marrë shtëpitë e që pas kësaj ata po degdiseshin me gjithë familje në Jug të vendit, në internim. Kjo, që në ditët e para të hyrjes së hordhive në qytet, që në dhjetor të vitti 1944. Të gjithë ata që kanë hedhur kujtimet e tyre të fillimit, flasin për këto episode të tmerrshme. Kulla e Gjonit të Marka Gjonit sekuestrohet dhe të gjithë familjarët nisen për Berat, në internim. Data një dhjetor 1944.

Po ku morën shtëpi Shefqet Peçi, komandanti i trupave ushtarake të qarkut, prokurori Josif Pashko, prokurori Aranit Cela, e të tjerë kriminelë e ushtarakët të lartë? Po të pyesim, edhe na tregojnë. Patjetër që duhet të ketë pasur dhimbje e padrejtësi të mëdha, sepse bëhet fjalë për shpronësim e nxjerrje jashtë.

Zoi Themeli, kryetari i parë i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit për Shkodrën, merr banesë tek Alimëhillët, përballë ambulancës së sotme. Nesti Kopali, nënkryetari i Seksionit të Mbrojtjes së Popullit, te familja e Karlo Çobës, në Gjuhadol, te shtëpia e bukur e madhështore, në katin e dytë. A e kemi një hartë të këtyre gllabërimeve, në kuptimin më të mirë të fjalës? Jo, e them me siguri, por duhet ta bëjmë!
Po kryetarët e Degës së Punëve të Brendshme, kush ishin? Përbindsha të vërtetë! Zoi Themeli, një kriminel i pashoq, injorant i thekur, që kishte punuar në një furrë buke në Korçë: kishte vetëm katër klasë shkollë. Gjovalin Zezaj, anëtar i grupit Bashkimi Shqiptar, i arrestuar në këtë rrethanë, thotë se Zoi e nxori Mark Çunin në ballafaqim me të. Meqë Marku nuk pranoi asgjë, në praninë time, e rrahu me kamzhik gjerman. Kamzhiku i sillej për fyt, duke i nxjerrë gjak, sa herë që i binte në mishin e butë të qafës.

Pasi e rrahu, e hodhi për tokë, i hyri në shqelma e i theu krahun. Martiri Mark bërtiste nga dhimbjet e tmerrshme, por Zoi vazhdonte ta qëllonte. Kur u lodh, i bëri zë policit që ta çonte në qeli, poshtë. Ai e mori duke e tërhequr nga këmbët. E ulte shkallëve të ndërtesës së Seksionit, nga kati i dytë në të parin, e koka i binte në shkallët, të gjitha betoni, duke i shkaktuar dhimbje të hatashme. Apo krimineli e përdhunuesi Nesti Kopali. Mjafton të lexohen faqet e librit të At Zefit, për të kujtuar sesa shumë i masakronte viktimat e veta me majën e çizmes së tij të lustruar oficeri sadist, nga fshati Qorraj i komunës Fterrë, të zonë së Sarandës. Ishte nënkryetari i Seksionit. Merrte vajza të reja në zyrë e i bënte presion se gjoja ishin pjesë e organizatave kundërshtare, e do t’i arrestonte, por i përdhunonte aty. E nuk i linte as të ngrinin zërin e të kundërshtonin. Po i tmerrshmi Lilo Zeneli, që Ahmet Bushati tregon sesi e ka masakruar: e kishte futur nën tavolinë dhe e godiste me shqelma.

Edhe Kolec Pikolini flet për rrahjen që i kishte bërë atij në vitin 1948, kur e kishin arrestuar. Ishte kasap me profesion. Nuk kishte as dy klasë shkollë, por ishte i besueshmi i partisë. I pasuar nga krimineli Rasim Dedja, i pashkollë edhe ai e mizor e në fund i përbindshmi Hilmi Seiti, një picanec, kumarxhi e imoral, historitë e tij të dashurive perverse tregohen edhe sot në Shkodër. Ishte ai që çoi në vdekje martiren Marie Tuci. Vajza që i kishte hyrë rrugës për t’u bërë murgeshë, nuk pranoi të bëhej e dashura e tij. Për hakmarrje, e çoi në vdekje. Ia doli të mobilizonte të gjithë makinerinë e diktaturës. Frederik Nosi, kryetari i gjykatës së lartë, dy ditë para se martirja të vdesë në spital, i lexon dënimin me burgim, me akuzën se ka strehuar diversantë. Ky, bashkë me hetuesin Ali Xhunga, kanë fabrikuar akuza të përbindshme edhe për priftin e pushkatuar dom Ejëll Kovaçi. Po ku rrinë këta tipa kriminalë e plot me vese? Kuptohet: zaptojnë shtëpitë më të mira! Po kujt ia marrin? Këto duhen zbulur! Këta janë Robeispierët e revolucionit shqiptar. Thuhet se ishin demonë.

Në arkivën e ish-Sigurimit të shtetit gjenden dosjet e çdo ish-oficeri e ish-prokurori të qarkut Ushtarak të periudhës së fillimeve. Në to gjenden edhe autobiografitë e kuadrove, që përpiloheshin me saktësi, sepse në rastet kur nuk thuhej e vërteta, personi e pësonte. Aranit Çela tregon se e kishte pasur babanë pijanec (srahosh, siç e shkruan ai), që kishte keqtrajtuar gruan e fëmijët. Kishte vdekur në rrugë të madhe, i pirë. E ëma, pas vdekjes së të shoqit, shkon e kërkon ndihmë te dom Mark Papaj, prifti katolik i Vlorës. I thotë se ka mbetur e ve me shumë fëmijë e ka nevojë për ndihmë. Ai, i ndjeshëm, vendosë ta ndihmojë. Gjoja i merr një jerevi me qera, sa për të justifikuar shpenzimet, por në fshatin e Aranitit nuk shkeli kurrë. Ishte një pretekst për të ndihmuar të gjorën. Edhe kjo e shkruar në autobiografinë e tij. Sapo Araniti njëzet e dy vjeçar, pasi braktisi fashizmin e u bë komunist, u soll në Shkodër, kërkoi dënimet pa fund me vdekje për gati të gjithë klerikët katolikë, njëri prej të cilëve ai që e kishte ndihmuar të rriste shtatin me bukë.

Dul Rrjodhi shkruan me dorën e vet në autobiografinë se nga shokët e këqinj ishte bërë hajdut, pijanec e ishte marrë me punë të tjera të ulta. Tregon se kishte pasur gabime të rënda në rini, si kumarxhi e vagabond, por nuk harron të shënojë se partia e rehabilitoi e i kishte dhënë një detyrë me shumë rëndësi: atë të eleminimit të kundërshtarëve të pushtetit të ri. Po Ali Xhunga, po Sirri Çarçani e sa e sa prokurorë e hetues të tmerrshëm? Sa janë të tillë? Gati të gjithë vijnë nga xhirizet e errëta e marrin pozita me rëndësi që as që e kanë imagjinuar ndonjëherë. Ia vlen për të gjithë këta Maratë dhe Dantonë të komunizmit shqiptar që të bëhen studime, edhe përgjithësuese. Dalin se ata që kishin jetët e njerëzve më me vlerë në dorë, ishin llumi më i ndyrë i kësaj toke.

Ngjarjet e dhunshme na thonë se çlirimtarët, që të nesërmen e hyrjes, ia nisin në mënyrë intensive kontrolleve shtëpi më shtëpi, në kërkim të personave që ata kanë projektuar për burg e plumb. Janë bërë listat! Nga kush? Nga ata krejt lart, por kuptohet, me ndihmën e komunistëve vendas! Kontrollet bëhen në tavane, në jerevitë, në puset, në oborret, në ahure, për njerëz të arratisur, për ish-anëtarë të Ballit e Legalitetit, për bashkëpunëtorët, për kuislingët, për armë, me pasojë terrorizimin e banorëve. Kontrollohet tek të afërmit e të kërkuarve, te motrat e vëllezërit, te kushërinjtë. Të gjitha këto gjenden në librat me kujtime. Ka faqe me një vërtetësi drithëruese sesi kryheshin këta kontrolle dhe terrori që ushtrohej mbi njerëz e mbi familje mbarë.

Po sekuestrimet në masë, që e rrënuan ekonomikisht krejt shtresën e pasur? Për t’u hyrë në qejf komunistëve jugosllavë, me inisiativën e hierarkëve vendas, u vendos që të sekuestroheshin mallrat e pasanikëve shkodranë. Magazina të tëra u boshatisën e kamionë të ardhur nga Jugosllavia motër, mbushen plot e marrin rrugën për andej, ndërsa varfërojnë deri në ekstrem tregun vendas e rrënojnë pronarët. Ulqinaku i madh është një shembull model! Po të tjerët? Këta sa janë? Kush janë? Sa gjë e mall iu është marrë me dhunë? A ka një shifër të dëmit? Familjet e dëmtuara mund të tregojnë shumë!

Kryhen vjedhje e grabitje. Për këtë ka një leteraturë të mjaftueshme që, nëse studiohet, dalin qartë episode të vjedhjeve sy më sy. At Zef Pllumi tregon në librin e tij sesi nga kontrollet e ushtruara, që në ditët e para nga skuadrat e partizanëve, u vodhën sende me shumë vlerë historike të muzeut arkeologjik. At Francesco della Rosa, në ditarin e tij, të botuar në librin “Një seminar papnor në vorbullën e persekutimit komunist”, flet për kontrollet e shumta, deri në shtatëmbëdhjetë, të kryera nga datat 30 nëntor 1944 deri me 26 janar 1945, në shtëpinë e jezuitëve, me pasojë grabitjen e sendeve personale. U sekuestrua edhe benzina, që shërbente për gatim e ndriçim.

Kur eprori jezuit At Daniel Dajani, shkoi t’i kërkonte ndihmë arqipeshkvit Gaspër Thaçit, që ai të ndërhynte duke përdorur autoritetin e tij që kontrolle të tilla shkatërruese të merrnin fund, arqipeshkvi, i pafuqishëm, i tha se para dy ditësh kemi pasur kontrollin e rradhës, që na kanë lënë tri orë jashtë në të ftohtë e në natë, duke u dridhur nga murlani. Kur kemi hyrë brenda, gjetëm të gjithë shtëpinë lëmsh e li e shumë sende të vjedhura. Këtë gjë ia kondirfmoi edhe At Danieli, i cili i tha se pas kontrolleve, gjithmonë, mungojnë sende personale. Ahmet Bushati, në librin e tij “Në gjurmët e një ditari” flet për kontrollet e shumta që bëheshin në ditët e para të fillimit dhe grabitjen e sendeve personale. Tregon, madje, për një palë dylbi, që një partizan i hoqi nga muri e pa pyetur të zotët, i mori me vete. Po sa janë raste të tilla? Pa fund.

Po postblloqet e shumta që viheshin rrugëve, shtetrrethimet me orë të gjata e disa mujore, duke penguar kalimet normale e duke e bërë të pamundur ecjen netëve. Edhe kur kishin nevojë të dilnin për të njoftuar për vdekjet, nuk mund ta kryenin një gjë të tillë, sepse ishte rreptësisht e ndaluar. Gjëra që nuk kishin ndodhur asnjëherë, por po bëheshin nga një ushtri që e mbante veten si e popullit dhe çlirimtare.

Ia vlen të flitet për listën e njerëzve të kërkuar e që duheshin arrestuar me çdo kusht, që fillon me vëllezërit Kazazi, me Sulçe Begun, me Maliq Bushatin, me klerikë të shumtë, të konsideruar të gjithë armiq të popullit. Po të përpilohet kjo listë, nuk të habit aq sasia e madhe e tyre në numër, sesa cilësia njerëzore që ata përfaqësojnë. Për të shpëtuar, shumë ishin ata që dolën në male e jetonin shpellave për të mbrojtur kokën. Janë me mijëra këta. Forcat e ndjekjes do t’i kërkojnë e shumë prej tyre do të vriten e do të vdesin nga çlirimtarët, për fajin e vetëm se nuk mendojnë si mendojnë këta vrasës dhe endërrojnë një Shqipëri tjetër nga kjo që kanë projektuar djajtë e për këtë kërkohen e janë kandidatë për t’u pushkatuar. Një sa për të gjithë: Ndoc Jakova, vëllai i kompozitorit të famshëm Prenk Jakova, vdes në mal nga plumbat e forcave të ndjekjes, në hyrjen e një shpelle ku gjendej, në duart e klerikut gjerman, misionarit don Alfons Tracki, që edhe ky do të pushkatohet pas një hetuesie të tmerrshme, në vitin 1947.

Nuk duhen harruar urdhrat për mbajtjen e shtëpive hapura, për mësymjet në mesditë e në mesnatë, pa pritur e pa kujtuar, të partizanëve, që ia behnin në kërkim të njerëzve dhe terrorizonin popullatën. Ata që i kanë shkruar në librat, tregojnë sfilitje të vërteta.
Po të pushkatuarit e parë pa gjyq, siç ishin tetë vetat e vrarë para Bashkisë Shkodër, me datën 26 janar 1945, thjesht për të terrorizuar popullsinë, sepse ushtria e çlirimtarëve ka shkuar të bëjë masakra në Veri e, duke mos mundur të depërtojë në zona që nuk i njeh e nuk mund t’i kalojë lehtë, lë të vrarë në fushë. Atëherë, për t’i treguar kundërshtarëve të saj imagjinarë se nuk ia lejon gjatë gëzimin e marrjes së lajmit se kanë pësuar humbje, organizojnë arrestimin dhe pushkatimin pa gjyq të të pafajshmëve të mjerë.

Një skenë të tmerrshme na e jep Kolec Pikolini në Librin e tij “Regjimi i Hienave”, por edhe Ahmet Bushati, në librin në “Gjurmët e një ditari”. Ka edhe shkrime në internet për këtë ngjarje të kësaj dite. Një genocid paralajmërues, që do të vazhdojë me masakrat e Kelmendit e Vuklit, me vrasjet për kryengritjen e Shkrelit, me genocidin e dënimet e ashpra me vdekje të Kryengritjes së Postribës, e do të kulmojë me masakrën e njëzet e dy të pafajshëmve të bombës së ambasadës sovjetike, në shkurt të vitit 1951, një prej viktimave do të jetë edhe zoti Pjerin Guraziu, babai i të nderuarit zotit Filip Guraziu.

Sa ishin ata që u pushkatuan pas Varrezave të Rrmajit? Nuk ka një shifër! Sa malësorët e shumtë u dënuan me vdekje, thjesht se dikush që gjendej maleve, për të siguruar një strehë, i troket derës së tyre, duke kërkuar mikpritje. Qëllonte që forcat e ndjekjes rrethojnë banesat, arrestojnë të sapoardhurit dhe marrin me vete edhe të zotët e shtëpive. Këta i dënojnë me pushkatim për krimin e strehimit të të kërkuarve. Por ata nuk e dinë se kë kanë strehuar. Ata kanë pranuar trokitësin, kushdo të ishte ai!

Ky lloj strehimi është pjesë e ligjit të maleve, mijëravjeçar, i bërë normë jete për këta zona: mikpritja i ofrohet kujtdo që të troket në derë, edhe pa e ditur se kush është, madje pikërisht se ti nuk e di se kush është, i jep strehë. Ahmet Bushati flet për një numër të madh viktimash të tilla, që shkonin të lidhur, rrugëve të Shkodrës, me pranga e zinxhirë, drejt e pas murit të varrezave për t’u pushkatuar. At Francesco della Rosa, në ditarin e tij, të datave të fillimvitit 1946, thotë se sipas asaj që flitet, numri i të pushkatuarve për pesëmbëdhjetë muaj, është rreth një mijë vetë.

Po sekuestrimi i arit, burgosja e tregtarëve, shpronësimi i tyre, torturat e tmerrshme në hetuesitë për dorëzimin e pasurisë së tyre shtetit. Një grabitje e tillë nuk ishte parë. Faj, për çdo legjilacion të globit, është vjedhja e pasurisë pronarit të ligjshëm nga dikush. Ndërsa bota ishte përmbysur: ishte krim po nuk e dorëzove pasurinë tënde. Po sa janë të tillë tregtarë e të pasur që masakrohen e vdesin në tortura?

A ka një shifër të saktë sesa mijëra e mijëra napolona ar u sekuestruan? Sa ar nxori Shkodra nga bankat e saj familjare? Nga një burim i sigurt, kam mësuar se familja Kakarriqi nuk kishte kasafortë, por një bodrum shumë të madh mbushur me ar, i cili u mur e nuk dihet sesi e se ku përfundoi. A nuk ia vlen një hetim i hollësishëm vetëm për këtë? Po sa janë të tjerët që u grabitën në këtë mënyrë? Dikur, vite më parë, kam punuar me një djalë me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës, që më tha se babain e tij e kishin sjellë në Shkodër për t’u marrë vetëm me sekuestrimin e arit tregëtarëve e mbeti pastaj këtu. Tek këta tipa kanë pasur besim për zbatimin e kësaj lloj detyre.

Po arrestimet e atyre që ishin kambistët, që kur tregtarët niseshin për tregti jashtë shteti, ua kishin shkëmbyer arin me monedhën e huaj. Qëllonte që tregtarët e arrestuar nuk e tregonin pasurinë e tyre. Atëherë, me një dinakëri demoniake, ishte gjetur kjo zgjidhje: arrestimi e torturimi deri në vdekje i kambistëve, që ata të tregonin se kujt ua kishin thyer paratë. Nëse këta flisnin, tregtarët e pësonin. Faktet do të ballafaqoheshin e për deklarim të rremë, pronarëve të arit u shkonte edhe koka. Sa prej këtyre kambistëve u arrestuan? Sa qenë ata që rezistuan deri në pikën e fundit për të mos marrë në qafë pasuritë e miqve të tyre? Shumë! Heroizmin e këtyre trimave s’ka pendë që e përshkruan. Letërsia dokumentare nuk mjafton t’a paraqesë në formë statistikore e përmes numrave këtë fenomen madhështor rezistence e mirësie. Këtu duhet të na vijë në ndihmë letërsia, kinematografia, filmi.

Po shtëpitë që u bënë qeli hetuesie! Të gjitha këto u morën me dhunë! Me vetëm një fjalë goje banesa sekuestrohej pa asnjë akt noterial apo ligjor e bëhej vend torturash të tmerrshme. Njerëzit nxirreshin jashtë pa asnjë shpjegim e me urgjencë! Studiuesi Kastriot Dervishi flet për këta shtëpi që ishin marrë e që u bënë biruca hetuesie: konvikti Malet Tona, kisha e fretenve, shtëpia e Ulqinakut, kuvendi i motrave servite, Bodrumi i shtëpisë së Fallsi Ademit, shtëpija e Rrojeve, shtëpia e Gulielm Lukës, shtëpia e doktor Karamitrit, shtëpia e Lec Shkrelit, hoteli i Bepit të Mishiqit, shtëpia e Sandër Saraçit, shtëpia përdhese e Vuksanëve, janë disa nga vendet ku u zhvilluan hetuesitë e tmerrshme. Studiuesi Fritz Radovani thotë se në vitit 1945-1946 në Shkodër kishte 26 hetuesi të tilla, kaq i madh ishte numri i të arrestuarve.

Thua se nuk kishte mbetur kush jashtë. Unë di dy, të papërmendura nga askush: njëra tek një ndërtesë në Parrucë e tjetra, një sallë përballë ambulancës së sotme. Te kjo e fundit u dënua Myfit Bushati me akuzën se ka strehuar xhaxhanë e tij plak Sulçe Begun, që i kishte kërkuar ndihmë. Për këtë krim Myfitit i dhanë 30 vite burg! Ndërsa te ndertesa në Parrucë dënohet Valentin Pervizi, me akuzën si bashkëpunotër i pushtuesve, edhe pse gjatë të gjithë kohës së luftës kishte qëndruar në Itali, si student. Por në të vërtetë, se është i biri i gjeneral Preng Pervizit. Këtë ma ka thënë vetë zoti Valentin në vitin 1989. Kinema Rozafati bëhet sallë gjyqi. Po kështu edhe Teatri i jezuitëve e shtëpia e Kadukut. Në fshatin Xhaj të Dukagjinit shtëpia e ipeshkvit bëhet hetuesi për malet! Sa malësorë janë masakruar në ato dhoma!

Po ata që u arratisën? Çfarë trimërie deri në vetëmohim ka në largimin e tyre, çfarë dhimbjeje kur ndaheshin nga të afërmit e vet! Sa ishin ata që u arratisen? Shumë! Emigracioni i parë klandestin që e varfëroi qytetin e zonën nga shumë të rinj! Një skenë dhimbjeje gjendet në tregimin e Kolec Pikolinit, kur ndahet me nënën e vet, i sigurt se nuk do ta shohë më kurrë. Edhe daja i im plak, në Kanada, vite më parë, më tregoi sesi ishte ndarë me nënën e tij, gjyshen time, krejt i bindur se s’do të shihej kurrë më me të, sesi kishte qëndruar në supin e saj duke lotuar për më shumë se një gjymë ore, i qartë se ai ishte takimi i fundit! Sa janë këta? Vetëm të përpilohet lista e të arratisurve të merr frika.

Nuk mund të rri pa përmendur arratisjen e Martin Camës e Lin Delisë në vitin 1948, nga Qafa e Boshit në Thethit, dy artistë me famë më vonë, por edhe arratisjen e Arshi Pipës e Sami Rrepishtit, pas burgosjes së tyre, arratisjen e jashtëzakonshme të Kolec Pikolinit që, pasi ikën nga burgu i Tiranës, sorollatet për 32 ditë udhëtim maleve e kodrave, fushave e arave, duke ecur natën e duke fjetur ditën, pa bukë e pa ujë, i shoqëruar gjithë kohës nga ëndrra e vegime paralajmëruare. Një misktikë e veçantë, e panjohur deri më tani, e që e karakterizon krejt librin e tij. Po ikja e Nihat Bakallit, militant i rinisë së Ballit Kombëtar, që duan ta vrasin! Po ata që u vranë në kufi, në përpjekjet për ta kaluar atë! Vrasja e Mark Cacës, Bardhosh Danit e Ibrahim Dërgutit! Një trio e djelmoshave të mrekullueshëm, e sa e sa shokëve të tjerë që i pasuan. Sa janë ata që u copëtuan nga plumbat? Sa e madhe do të dilte lista!

Po tradhtitë jugosllave, që i kthenin të arratisurit! Sa vetë u dhunuan kështu! Dom Marin Shkurtin, që sapo e kthejnë, pushkatohet, po Leopold Shkreli e shumë e shumë të tjerë! Sa vuajtje përcëlluese, të pa shoqe në botë. Çfarë shijet të hidhur ka lënë ky mashtrim.
Po skenat mashtruese që krijonin me postat kufitare, ku vinin foton e Titos e i krijonin të arratisurit idenë se ishte tashmë në Jugosllavi. Ata zbrazeshin në prani të gjoja autoriteteve jugosllave, por që në fakt ishin shqiptarë. Deklaratat ua merrnin për agjitacion e propagandë, ndërsa arratisjen si tentativë, e dënoheshin deri në njëzet vite burg. Kësi rastesh janë me të vërtetë shumë!

Po dhimbjet e internimeve për ato familje të cilëve u kishin ikur bijtë e vëllezërit! Sa janë? E kur mendon se nga trupi i këtij komuniteti shkëputen aq shumë njerëz e familje me vlera, degdisën për një jetë sfilitjeje më të vlefshmit, shtëpitë e të cilëve, pasi çohen në internim, në Tepelenë apo Porto Palermo, në Berat apo Gjirokastër, i merr Sigurimi e sjell aty policë nga jugu i largët!

Prandaj, në këtë pikë propozoj hapjen e studimeve dhe të anketave, që do të saktësonin se sa mallra, sa ar, sa vite burgje, sa pushkatime, sa internime e sa vuajtje u pësuan! Cilat shtëpi u bënë hetuesi. Të mbledhim kujtimet nga ata që hoqën. Kjo do t’i ishte në ndihmë të madhe studiuesve, që do të përcaktonin vendet, numrin e tyre, por edhe vështirësitë e panumërta që iu krijuan familjeve që braktisnin banesën e tyre e dëboheshin pa e ditur se ku. Unë di dy prej tyre. Marjan Shestani, pak para se të vdiste, më tha se, meqë e kishin pasur shtëpinë pranë degës së punëve të brendshme, një ditë, pak pasi seminari i ulët françeskan ishte marrë e u përshtat si seli e Sigurimit, ia bëhen tre oficerë, i dhanë babait urdhër që për një çerek ore të dilnin nga shtëpia e të largoheshin, sepse u duhej atyre, se kishte qëlluar afër degës.

Me gojën mbyllur, me një trastë me rroba në dorë, ikëm e shkuam te një dajë i joni, që fatmirësisht, na pranoi, sepse mund edhe të mbetnim në rrugë të madhe. Ndërsa dëshmia tjetër është e zotit Eduard Çurcia, që më tregoi sesi forcat partizane erdhën një ditë të fillim dhjetorit 1944 te shtëpia e me një urdhër me gojë, na thanë që urgjentisht duhen të lëshonim banesën, sepse merrej për nevoja të pushtetit të ri. Na u desh të largoheshim. Drejt e në rrugë të madhe! U bë hetuesia e shtëpisë së Çurcisë, Seksioni i Mbrojtjes së Popullit të Qarkut Ushtarak të Shkodrës. Në jerevinë kishin mbetuar edhe veglat e punës, njëra prej të cilave, ishte sopata që përdorej për të prerë drurët, por që Vaskë Koleci e Jonuz Mersini e përdorën për të prerë këmbët e krahët e dom Lazër Shantojës.

Po Tatimet e jashtëzakonshme që dërrmuan me themel jetën ekonomike të qytetit e të tregtarëve? E që për mos pagimin e tyre mund të përfundoje i vrarë?
Po shkatërrimi i biliotekave, i librave, i dokumenteve me vlerë, i arkivave? Pader Zef Pllumi flet për rrënimin e bibliotekës së fretëve që, pasi u mur, pas torturave çnjerëzore që u bënë mbi At Pal Dodën, nuk dihet se ku përfundoi. Ku kanë shkuar ata dokumente? Ku janë? Humbën gjithë ata dëshmi me vlera të jashtëzakonshme historike. Po Biblioteka e jezuitëve, që për ditë e ditë me rradhë, punëtorët e ngarkuar me eleminimin e saj, hodhën në zjarr libra të pafund, të të gjitha llojeve, dokumente arkivore, një bibliotekë me rreth 50.000 kopje, të gjithë të shkrumbuar e të bërë hi! Ishte formuar ngadalë, për shumë e shumë vite. Ishte ndër bibliotekat më të pasura në Ballkan.

E tani, për torturat e ndryshme në hetuesi! Ato që përshkruan atë Zef Pllumbi tek libri i tij! Ajo e dom Anton Muzajt me ujin që e lagnin dhe e linin në këmishë në pikë të dimrit; hapnin dritaret e korridorit e bënin korrent. Me hekurin e skuqur në krahun e fra Gjon Pantalisë, me hekurin e skuqur ndaj Myzafer Pipës, Paulin Palin e dhunuar e të mbuluar nga morrat, në halucinacione, e sa e sa të tjerëve! Po tortura ndaj Muhamet Spahisë? Makabre! Hedhja e të masakruarve në bodrumet, në skutat, në ahure, lënia pa bukë e pa ujë, të lidhur në birucat, të coptuar, të gjymtuar, të rrahur, me kripën që ua hidhin në fyt, me torturën e telefonit me rrymë elektrike, me jelekun në krevatin e zjarrit, po këmbët e këputura me sopatë të Dom Lazër Shantojës, rrahja makabre e Sulçe beg Bushatit tetëdhjetëvjeçar që, ashtu sikurse e ka dëshmuar Beqir Ajazi në librin e tij, kur i sollën në burg të Tiranës, e meqë i kishin vënë në një batanije bashkë me dom Lazrin, ishin bashkuar plagët e tyre e iu ishin ngjitur. “Kur i ndamë, ata të dy lëshuan nga një rënkim kaq të dhimshëm, saqë, – thotë Ajazi, – nuk do ta harroj deri sa të vdes!”. Kjo tokë nuk kishte parë kurrë gjëra të tilla!

Po torturat që i bënë një djaloshi të ri, Ahmet Bushatit, vetëm tetëmbëdhjetë vjeçar, që duroi një hetuesi të përbindshme për shtatëmbëdhjetë muaj! E e sa e sa të tjerëve, që nuk mund t’i rreshtoj, sepse janë të panumër! Për këto lloj torturash a është e mundur të kryhet një studim?

Po për dëshmitarët e rremë, për spiunët që të merrnin në qafë, për sa prej këtyre gjërave mund të flitet!

Po për hetuesit masakrenj, që nga çlirimtarë atdhedashës, ishin kthyer në kriminelë të pashpirt? A ekziston një listë e të gjithë atyre personazheve që u gjenden bashkë me detyra kaq të kobshme si: Nesti Kopali, Zoi Themeli, një Karrabec, një xhahil nga fshatarat e Sarandës, që e përmend Ahmet Bushatit te libri i tij e që u fikte cigaren e ndezur në sy të arrestuarve që ai i torturonte, Zoi Shkurti, torturues katil, bashkëpuntorë i kriminelit Petrit Dume në Korçë, kur u mbërthenin njerëzve ndër thembra patkoj e Spiro Pano, sekretari i partisë së qarkut Shkodër, një minoritar i frustruar. Ligji zbatohej nga Esat Ndreu, Mustafa Iliazi, Tonin Miloti, Nestan Ujaniku, Misto Bllaci etj, ky i fundit vlleh endacak e analfabet, që iu dha rasti të gjithëve të pushkatonin filozofë, profesorë e inxhinierë.

Asnjeri nuk di të thotë se cilës rracë i përkasin. Këtij grupi të etshëm për gjak i kanë shërbye edhe komunistët vendas si: Arif Gjyli, Qamil Gavoçi, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi, Qazim e Fadil Kapisyzi, Jonuz Dini, Xhemal Selimi, Hysni Ndoja, Asllan Lici, Dul Rrjodhi, etj. që pasohej nga grupi i të rinjve Pjerin Kçira, Nush Baba, Lin Çollaku, Alush Bakalli, Gjovalin Mazrreku, deri tek kufoma e fundit e Sigurimit, krimineli i “rilindur” i Shkodrës Shyqyri Qoku. Po a harrohen Shefqet Peçi, Ndreko Rino, Çesk Shoshi, Rrahman Perllaku, Toger Baba, Zija Dibra, Ali Qorri (Bushati), Kasem Troshani, Lilo Zeneli, si dhe emigrantët jugorë si: Bilo Bregu, Thoma Karamello, Mentor Xhemali, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Ndrek Nallbani, Lefter Lakrori e të tjerë, e të tjerë, të gjithë të thirrur për rrënimin e sa e sa jetëve të pafajshme njerëzore!

Po prokurorët e përzgjedhur, që pa u mbështetur aspak në ligje, si Josif Pashko e Aranit Çela, Isuf Mersini e Vaskë Koleci, Siri Çarçani e Myftar Tare e shokë, që kërkuan dënime me vdekje e ia dolën t’i merrnin nga trupa gjykuese e gjykatës ushtarake të Mustafa Iliazit e të Esat Ndreut. Çfarë llumi njerëzor është ky, që pa asnjë vrarje të ndërgjegjes, i ka hyrë punës të shkatërrojë palcën më të shëndoshë njerëzore të këtij vendi, me pretendimin se po ndërton botën e re?

Çfarë sy përbindshi kishte Shefqet Peçi kur atij, me radiogram, i erdhi urdhëri nga drejtori i drejtorisë së mbrojtjes së popullit Koçi Xoxe dhe eprori i tij Enver Hoxha, që të kryente një vlerësim e të nxirrte një shifër të përafërt sesa kandidatë për burgosje dhe pushkatim kishte zona e qyteti i Shkodrës, e këtë ta bënte sa më parë! Shefqeti, me mendjen prej djalli e me syrin prej krimineli, i ndihmuar nga veglat e tija, erdhi në përfundimin se për pushkatim kandidatët ishin rreth katër mijë veta, ndërsa për burgosje rreth katërmbëdhjetë mijë. Lajmi u nis me radiogram për Tiranë. Përgjigja erdhi. Për kandidatët për arrestim e burg iu tha se për momentin nuk kemi vende ku t’i fusim në birucat e duhet ta lëmë për një kohë të dytë; ndërsa për pushkatimet, do t’i kemi parasysh. Do t’i ekzekutojmë një e nga një, sepse nuk zënë vende. E në fakt, shumë prej fatkëqinjve që Shefqeti i kishte vënë në lista, u vranë apo u burgosën gjatë viteve të gjata të diktaturës.

Po klerikët e të dyja besimeve si u trajtuan? Nuk ishin parë aso tmerresh. Klerikët katolikë përjetuan një Kalvar të veçantë, të pandodhur ndonjë herë, aq sa e shtyu edhe papën Gjon Pali i Dytë, i cili, me rastin e vizitës së tij në Shqipëri me datën 25 prill 1993, tha se ajo që ka ndodhur me Kishën Katolike në Shqipëri as është parë e dëgjuar ndonjëherë në histori. Janë gjashtëdhjetë e shtatë të pushkatuarit e pafajshëm, njëzetedy të vdekur në tortura, të gjithë njerëz të dijes, të kulturës e të besimit.

Por s’dua t’ua ha hakun as të penduarve. Pati prej atyre që, kur e panë se kush na qënkeshin çlirimtarët, heronjtë e botës së re, dorëzuan teserat, se nuk i honepsën këto metoda kriminale. Ka edhe më. Ahmet Bushati në librin e tij flet për një partizane që u iku komunistëve dhe trimërisht u vu kundër tyre. E kishte kuptuar se kishin tradhëtuar idealet e lirisë e të drejtësisë, se u bënë kriminelë bisha, vetëm për pushtetin e tyre. Vdiq në betejë me forcat e ndjekjes. Heroizmi i saj është i jashtëzakonshëm. Trimëria e saj e pashoqe. Një grua simbol. Nuk duhet në asnjë mënyrë të harrohet. Historia duhet t’ia gjejë emrin e portretin. Arti i detyron figurën!

Sami Repishti te libri i tij “Nën hijën e Rofazës” flet për një oficer sigurimi, i cili bënte sikur e merrte në pyetje, por në të vërtetë, donte argumente bindëse për pendesën e tij. Vuante se gjendej në anën e gabuar e para se të bënte një veprim kokëkrisur, i kërkonte Samiut që t’ia shpjegonte bindshëm e qartë pikëpamjet e tija, ato që ishin të armiqve të popullit. Kishte kohë që po e vriste ndërgjegjja për të gjithë sa po ndodhte e pse po përdorej. Kush ishte ky? Zoti Rrepishti është ende gjallë e mund të na e tregojë.

Mos të harrojmë edhe Pjerin Kçirën e grupin e tij. Mori dënimin me pushkatim për një deklaratë të fortë, fryt i vrasjes së thellë të ndërgjegjes. Tha se fretërit nuk i kishin futur armët në Kishë, por Sigurimi.

Ahmet Bushati flet për një roje burgu, që kishte dhëmbshuri për të, e shihte se Ahmeti po shkonte drejt vdekjes pa faj. Polici jugor qante me fatin e keq të të riut viktimë. Janë skena unike, që do të bënin të mendohej thellë çdo regjisor të madh të botës. Pra, duhet ta pranojmë: ka pasur pendesa, trazime të brendshme, vuajtje se dikush është gjendur në anën e gabuar. Ka pasur edhe në organet e dhunës zemra brenda të cilave kishte dritë, që rrihnin e vuanin për fatin e zi të viktimave, që nuk mund të bënin më shumë për ta, por vetëm të vuanin në heshtje e të shpresonin se të mjerët do të shpëtonin. Janë zemërbutët që ushtrojnë virtytin e shpresës e që provojnë dhëmbshurinë. Janë miqtë e Zotit, edhe pse të panjohur, të pakuptuar e që nuk flasin. Një sy qiellor i njeh, ua di emrat. Edhe ne na interesojnë shumë.

A mos janë personazhe të vetëm kësaj toke e të këtij qyteti e nuk kanë të përngjashëm? Jo, universi komunist ka tipologjitë e veta, të gjitha të përngjashme. Unë do të sillja shembullin e filozofit gjigant rus, Nikolaj Berdiajev, i dëbuar nga Rusia komuniste në vitin 1922. Meqë donin ta dënonin, i vunë si hetues një persekutor të përzgjedhur, të pamëshirshëm e dinak: vetë Xherxhinskin, shefin GPU, sigurimit sovjetik. Por kryespiuni nuk ia doli ta zbërthente filozofin gjeni e për çudi të jashtëzakonshme, pas disa seanca marrjesh në pyetje, Xherxhinski u dorëzua pa ia kërkuar kush, iu hap e i konfidoi.

I tha se kishte një boshllëk të madh në zemër, se përjetonte një kaos kolosal: nuk e dinte se ku ishte e mira e cila ishte e keqja. Atëherë, i miri Berdiajev, qartë e thjeshtë, i shpjegoi se: ju na konsideroni ne si e keqja e Rusisë, sikur të ishim djalli, e për të na eliminuar na bëni luftë, por jeni ju që po përdorni metodat e djallit, jeni ju që jeni bërë shërbëtorët e tij. Xherxhinski e pranoi këtë. E atëherë ia kishte hapur zemrën krejtësisht e i kishte thënë se: “kam ftohtësi, kam qenë dikur student për prift ortodoks, por e lashë, se nuk më bindi ajo rrugë. Idealet e drejtësisë së revolucionit më entuziasmuan, por nuk i gjeta të realizuara.

Më duhet të vras e të masakroj në emër të drejtësisë. Kjo nuk më bind. Zhytem çdo ditë në humnerë. Kujtova se revolucioni komunist mund ta sillte drejtësinë, por me këto që po bëjmë e si po sillemi, është krejt e kundërta. Kjo është fatale për mua!”. – “Ik, largohu!” – i kishte sugjeruar filozofi. – “Jo, nuk mundem, se po të iki, jam i vdekur. Rri edhe pse përjetoj një ankth shpirtëror të patregueshëm. Jetoj çdo minutë me vdekjen në zemër!”- “Po atëherë?”. -“Jam i mbaruar! – kishte përfunduar ai. – “Sa të zgjasë, të zgjasë!”. Çfarë misteri! Berdiajevin, si shpërblim të këtij ndriçimi, e dëboi nga Rusia, në vend që ta pushkatonte.

Edhe një shembull tjetër, ai i Rudolf Hoessit, komandantit të kampit të Aushvicit, ku mesatarisht vriteshin çdo ditë 1750 njerëz. Në kujtimet e tij, shkruar në Poloni, pasi mori dënimin me vdekje nga gjyqi i Nurembergut, thotë se: “rashë në krim për idetë e larta. Kjo është fatkeqësia më e madhe. Detyra, Fyhreri dhe Atdheu më bënë kriminel!”. Këta parimet e mëdha të bëjnë viktimën më ekselente.

A duhet bërë, pra, një kërkim i thellë, edhe për këto që thashë unë e në shumë aspakte të tjera, që mund t’i sugjerojnë studiues të tjerë? Them se po. Po si i bëhet të rindërtohet, mundësisht sa më mirë e sa më saktë që të jetë e mundur, ajo që ndodhi? Them të formohet një komision e të nisë studimi. T’i hyjmë një pune të rëndësishme, që s’e ka bërë askush. Të sigurohet nga bibliotekat leteratura e kujtimeve, shkrimet në gazetat gjatë viteve, që janë shumë e që kanë detaje me mjaft interes, të kryhen anketa e të vihen në dispozicion kujtimet që kanë familjarët e që s’janë bërë të njohura deri tani, si dhe dokumente që mund të gjenden në arkiva. Të lexohen me kujdes, të nxirren fragmentet sipas përcaktimit të fushave. Në rastin e çdo vuajtjeje e padrejtësie, besoj se gjyshat e prindërit janë treguar aq të kujdesshëm sa t’ua transmetojnë nipave dhimbjet e këta t’i kenë të ruajtura në kujtesë të gjitha. Të jeni të sigurt se do të dalë një pamje e tmerrshme, një makabritet poshtërues, i veçantë i të gjithë botës komuniste. Rrjeta e hulumtimit do të nxjerrë gjëra të paimagjinueshme për nga interesi dhe rëndësia.

Studiuesi Stefan Kurtua dhe ekipi i tij kanë botuar “Librin e zi të komunizmit”. Ka edhe një libër të rëndësishëm tjetër: “Libri i zi i revolucionit francez”. Ndërsa për Bashkimin Sovjetik Solxhenincin, i vetëm, iu vu punës e hartoi veprën madhore, afreskun gjigant të vuajtjes “Arqipelagun Gulag”. Unë po them: nëse do të bëhet një studim i tillë në mënyrë sistematike rreth këtyre që parashtrova, do të dalë një libër i madh, Libri i zi i komunizmit në Shkodër, me vuajtje të mëdha, rrënqethëse, unike, që për nga egërsia, pamëshirësia, kriminaliteti, torturat e ushtruara, do t’ia kalonte disa herë librit të Nobelistit rus. Ky libër do të ishte një risi unike, sepse nuk i përket një kombi, por vetëm një qyteti. Lënda e parë do të ishte më se e mjaftueshme të trondiste thellë këdo. Pse? Sepse ne ishim rrethi i fundit i ferrit komunist.

Studiuesi Kastriot Dervishi më ka thënë se i dënuari më rëndë politikisht i vendeve të lindjes, kampioni i vuajtjes, ka qënë një në Gjermaninë Lindore, me vetëm nëntë vite burg! Po sa janë Mandelat e Shqipërisë? Vetë zoti Dervishi ka marrë iniciativën dhe publikon hitparaden e të dënuarve klasikë. Sami Dangëllia: 43 vjet burg e internim; Osman Kazazi: 33 vjet; disa me 35 vite; Petrit Velaj, me 35 vite, Pjetër Arbnori me 29 vite burg e shumë të tjerë, që s’po i përmend. Pra rrethi i fundit, ai më poshtë se të gjithë për nga krimet, masakrat, varfëria, nga injoranca e drejtuesve, nga torturat, na mbetet ne shqiptarëve. Por ky rreth vjen e ngushtohet e bëhet gjithnjë e më i thellë e përfundon në Shkodër! Aty është pika më e ulët e komunizmit botëror. Nuk është Arqipelagu Gulag e si kulmit i keqbërjes së komunizmit në botë, por Shkodra do të ishte vendi ku u ushtrua dhuna më e egër. Për këtë do të fitonim titull!

E që afresku të ishte sa më i plotë, do të propozoja që të mos mungonin në këtë vështrim edhe gratë partizane. Janë pjesë e panoramës e nuk është e drejtë t’i lëmë jashtë kuadrit. Ahmet Bushati flet për një masë të rreckosur partizanësh, mes të cilëve, në parakalimin e datës 29 nëntor, kishte disa femra të ndrojtura e të ngrira, të ngurta që, “kur i pashë”, – thotë ai – “më erdhi menjëherë dyshimi: a mund të jenë nëna këto një ditë?”. Patjetër që mund të jenë! Zoti Eduard Çurçia më ka treguar se kur erdhën në shtëpinë tyre partizanët në natën e parë të hyrjes në Shkodër, tek shtëpia e tij ia mësynë gati njëzet veta.

Partizanet femra morën katin e tretë, sipër. Ishin disa. Habija e jonë ishte se të gjitha qenë shtatzëna, edhe pse jo të martuara. Nëna ime u tmerrua e s’dijti ku të futej me motrat, vajzat e saj. Babait u trondit. Po i shikonte me çudi. Këtë topitje ato e morën si shfaqje fanatizmi. Babit tim, që po i shikonte me trishtim këto të reja barkfryra, një partizane kokoroçe i foli me arrogancë e pafytyrësi e i tha: “xhaxho, qënke borgjez fanatik ti! Pse shikon kështu? Çka për t’u habitur! Kemi bërë edhe dashuri në mal, nuk kemi shkuar vetëm për luftë!”.

Ky ishte një moral i çlirimtarëve! I këtyre që kishin ardhur të ndërtonin një botë të re.
Kur me datën 26 janar 1945, para bashkisë së Shkodrës, u pushkatuna tetë burrat e pafajshëm, viktimave që po vdesin e që janë duke dhënë shpirt, disa vajza të reja partizane, pasi nxjerrin revolverat nga brezat, i gjuajnë në kokë e në gjoks për t’ua shpejtuar vdekjen. Marrin edhe dhe nga toka e ua hedhin në gojët e tyre, që fytet t’u bllokohen e t’i japin fund jetëve të agonizuarve. Çfarë skene makabre!

Mërgim Korça, në një dëshmi të tijën të bërë publike e që gjendet edhe në internet, tregon se me datën 25 mars 1945, korteu i viktimave të dënuar me pushkatim po kalonte në Piacën për të shkuar tek vendi i ekzekutimit, te Varrezat e Rrmajit. Mes tyre gjendej edhe vigani Peng Cali, i munduar e i rraskapitur nga torturat e gjata e çnjerëzore të pësuara në hetuesi, të cilit i ishte rritur edhe mjekrra. Ndërsa është duke kaluar, dy çlirimtarë e ndalojnë për ta poshtëruar. E ulin për tokë. Një partizane hyri në një berberhane që gjendej aty pranë, thotë zoti Korça, e mori një brisk rroje. Atëherë, luftëtarja e lirisë, filloi t’ia priste me brisk mjekrën burrit në moshë, që i kishte duart e lidhura pas shpine e s’mund të reagonte e as të ngrihej. I binin qimet në këmishë e bashkë me to edhe copa mishi të rrjepura dhe gjak.

Po a nuk është për guinesss fakti se për një qytet me vetëm 40.000 banorë, janë vënë në dispozicion tri ndërtesa për gjykatën ushtarake, sepse ka punë shumë, shumë dënime për t’u dhënë e sallat nuk mjaftojnë. Njëra tek shtepia e doktor Prelës, që nxirret jashtë e sikterriset në rrugë të madhe, si shumë të tjera. Kati poshtë përshtatet si sallë gjyqi, ndërsa sipër merr zyrë të tijën Mustafa Iliazi, kryetari i Gjykatës ushtarake, një partizan nga fshatrat e Tepelenës, që ka dhënë aq shumë dënime me vdekje në Shkodër! Zyrën tjetër, atë përballë, e merr Shaban Dautaj, sekretari i Gjykatës.

Por një tjetër Gjykatë si godinë është edhe ajo që i merret pronarit të fabrikës së vaj-sapunit, zotit Tef Pogu, tek Dugajët e Reja. Është vendi ku do të jepen sa e sa dënime me vdekje. Sallë dënimesh e gjykatës ushtarake bëhet edhe kuvendi i fretërve françeskanë, të cilët, të nxjerrë jashtë për shkak të akuzës për futjen e armëve në kishë, përzehen. Merret gjithë ajo ndërtesë gjigante dhe ajo që dikur ishte shtypshkonja, përshtatet si sallë gjykimi, ku, siç tregon At Zef Pllumi, u zhvillua gjyqi i të dënuarve për futjen e armëve në kishë e ku u dhanë tri dënime me vdekje, shumë dënime me burgim të përjetshëm e shumë dënime të tjera.

Në vitin 1995 profesori nderuar i universitetit të Shkodrës, zoti Simon Pepa, që nuk jeton më, një ditë, ndërsa po shkonte në shtëpi, nisi t’i shikonte shtëpitë e rrugicës së vet me një sy të veçantë. E filloi të numëronte: në këtë këtu, dikush ka bërë njëzet vite burg, në këtë këtu, tjetri shtatëmbëdhjetë vite burg, në këtë tjetrën, njëzet e dy vite burg, këtu ka një të pushkatuar. Dhe mblodhi, në ditët në vazhdim, informata të sakta për të gjitha ato familje që kishin vuajtur. Në një rrugicë të vetme, i dolën 417 vite burg e pesë pushkatime. Po sikur kjo metodë të aplikohej për të gjithë qytetin e Shkodrës? Do të dilnin shekuj e shekuj vitesh burg. Dua të bëj një propozim, që mund ta zbatojë shumë mirë Bashkia Shkodër.

Si e mbajmë mend dikur, në vitet e rinisë tonë, regjimi e kishte mbushur qytetin me pllaka ku thuhej se këtu ka qenë një bazë e luftës nacional-çlirimtare. Kështu propozoj që të vendosen pllaka me një ngjyrë të veçantë: këtu ka banuar filani, i pushkatuar, këtu ka banuar filani, që bëri kaq vite burg, këtu një pllakë tjetër, ku tregon se në këtë vend ka jetuar një familje, e cila është internuar. Kjo shtëpia këtu u sekuestrua e u bë hetuesi, kjo këtu, u grabit e u bë banesë e hierarkëve të lartë. E nëse pllaka do të kishte një ngjyrë të veçantë, të verdhë varak, apo blu që bie në sy, jam i sigurt se e gjithë Shkodra do të ishte e mbushur plot me këso pllakash. Do të ishte një ndër qytetet më të veçanta të botës. Nuk do të kishte një të përngjashëm.

Prandaj, për të gjitha këto tema, duhet ndërtuar një aerkeologji historike. Kjo, sa më shpejt, sepse ka mbetur ende gjallë ndonjë dëshmitar. Arkeologjia shkencore ia ka dalë të rindërtojë qytetërime të varrosura mijëra vite më parë. Ne kemi mundësi të rindërtojmë, me anë të fakteve, dëshmive e objekteve, ngjarje të ndodhura jo shumë vite larg, por tani afër, e që kanë një vlerë unike dhe me kontributin e të gjithë atyre që dinë diçka e që janë vullnetmirë, mund të bëhet një gjë krejtësisht e veçantë, një model edhe për qytete të tjera të Shqipërisë, nëse do të duan të ndjekin shembullin e kësaj inisiative.

Por sot ne kemi mundësi edhe t’i njohim për fytyra bishat e asaj kohe, sikurse edhe martirët. Falë kompjuterizimit që ka bërë fototeka Marubi, vetëm të fusim emrin dhe i gjejmë. Çuditërisht, të gjithë demonët kishin pasur mani të fryheshin e të krekoseshin para aparatit fotografik. Arkivi ka plot foto të këtyre sadistëve, që dalin në celuloid me pozat më të pështira e të neveritshme. Ia vlen një koleksion i tyre, me Zoi Themelin në krye, me Nestin, me Josifin, Vaskën, Lilo Zenelin, Xhemal Selimin, Fadil Kapisyzin, Çesk Shoshin, Aranitin e të tjerë, që nuk po humbas kohë këtu t’i përmend!

Po pse u zgjodh kjo zonë? Pse u projektua që të goditej Shkodra? Si boksieri që e vendos kundërshtarin në një cep të ringut dhe e gjuan pa mëshirë, edhe regjimi e vuri në shënjestër dhe e goditi në mënyrën më mizore! Pse? Sepse Shkodra e zona përreth nuk e pranoi këtë pushtim shkatërrimtar, nuk e pranoi që dhunimi të quhej çlirim e që në fillim të reagoi. Por vrasësit nuk e pranuan reagimin e Shkodrës! Për këtë këtë kam zgjedhur një krahasim: Vandenë. Shumë prej të pranishmëve këtu jam i sigurtë se e dinë se për kë e kam fjalën: për atë krahinë në Francën Perëndimore që iu kundërvu revolucionit francez, që u ngrit me armë të mbronte institucionet, mbretin, lirinë e tyre, të drejtën e besimit që revolucioni ia shfuqizoi e për këtë e pësoi rëndë.

Protestuan kundër rritjes së taksave, kundër rekrutimit të burrave në ushtri, sepse revolucioni kishte hapur fronte lufte kudo me shtetet europiane e duheshin mbushur rradhët me ushtarë. Ata kundërshtuan. Përgjigja s’vonoi dhe erdhi. U përdor dhuna e tmerrshme, u kryen masakra mbi popullsinë e pa mbrojtur, u bë një gjenocid i mirëfilltë. Arkeologët francezë kanë vazhduar të zbulojnë varre masive, në gropa të përbashkëta, të grave e të fëmijëve, të pleqve të varrosur, pasi i kishin pushkatuar e vrarë. Pak kohë më parë është zbuluar një tjetër e tillë.

Vandeja ka pasur, krahas revolucionarëve kriminelë, edhe një pendë të shkëlqyer që ka folur keq për të, një gjeni të padiskutueshëm të letërsisë botërore: Viktor Hygonë. E them këtë për të treguar se edhe mendjet më të ndritura, provojnë pështjellime të pabesueshme. Ja se çfarë thotë Hygoi, në librin e tij “Viti 93. “Vandeja është kryengritja-prift. Luftë e injorantëve. Nga njëra anë revolucioni, nga ana tjetër fshatari breton. Vandea vepër e njeriut që jeton me gështenja, i kufizuar mes çatisë gardhit dhe hendekut, që ujin e përdor vetëm për të pirë, njeri që do zotat e vet dhe morrat e vet, një qorr që nuk shikon. Pyeteni këtë çorr: a e do dritën. Ai do t’ju thotë, jo, nuk e dua! Vandeja është lufta që prapambetja i bëri parizianit!”, e të tjera e të tjera. Hygoi ishte i dashuruar me idetë e revolucionit francez e kujtonte se socializmi ishte një zhvillim i tyre. Sa keqkuptim i i turpshëm! Çfarë t’i themi kësaj mendjeje gjeniale, që rrëzohet kaq poshtë!

Për t’ju përgjigjur, kam kërkuar ndihmën e gjeniut rus, Aleksandër Soxhenicin, çmimi Nobël për letërsinë në vitin 1970, autori i librit prej më shumë se 2000 faqesh “Arqipelagu Gualg” dhe “Pavioni i kancerozëve” si dhe i shumë faqeve studimi për komunizmin rus e atë botëror. Jam mbështetur në atë që ky kolos tha pikërisht për Vandenë, në vitin 1993, dy shekuj pas ngjarjeve, kur u thirr në Francë që të ishte i pranishëm në ngritjen e monumentit lartësuar në nderim të viktimave të revolucionit. E meqë idetë e tij janë kaq të kundërta me ato të gjeniut francez, po i ballafaqojmë. Nuk kam frikë këtu të keqkuptohem, sepse vetë Hygoi thotë se: “vetëm të barabartët kanë të drejtë të gjykohen!”.

Them se Solxhenicin është i barabartë me Hygoin për nga gjenialiteti letrar, por rusi ia kalon si më fatkeq apo fatlum, sepse kaloi epokën e djallit jo në tryezat e shkrimit, por në burgjet e tmerrshme, në Gulag. Hygoi hamendëson një lumturi të ardhshme e aspak të qartë, Solxhenicin dëshmon tmerrin e realitetit zhgënjyes që përjetoi, kuptohet të socializmit. “Vandea – thotë – është zona e destinuar të bëhet viktimë nga një regjim vrastar, sepse mishëron më së miri atë që revolucioni urren: urrehet për vlerat që bart, për besimin që ka, për lirinë që e ka të shenjtë e s’pranon t’ia prekin. Revolucioni i shtypi e i poshtëroi deri në fund fshatarët që iu kundërvunë!”. Kjo frazë i përshtatet më së miri edhe zonës së Shkodrës.

“Çfarë solli revolucioni për vandeasit?” – vazhdon me pyetjen e tij çmimi Nobël. – “Vetëm shkatërrim, sepse çdo revolucion shpërthen në njerëzit instinktet e barbarisë më elementare, forcat e errëta të lakmive, të egërsisë e të urrejtjes. Këtë, Vandeasit e kishin kuptuar shumë mirë e për këtë paguan një tribut të rëndë!” – përfundon ai. “Duke medituar mbi fatkeqësitë, njerëzit kanë mbëritur në përfundimin se revolucionet shkatërrojnë karakterin organik të një shoqërie dhe rrjedhën e natyrshme të jetës. Revolucioni asgjëson elementet më të mirë të popullsisë, duke i lënë fushë të lirë veprimi më të këqijve e që, në vendet ku ai pllakos, në përgjithësi, shkakton mijëra viktima. Në revolucionet përhapet frikshëm varfëria dhe ndodh një degradim i popullsisë!”.

Vetë fjala revolucion vjen nga latinishtja e do të thotë “kthim pas”, një përmbysje. Vetëm një revolucion nuk mund të konsiderohet gjë me vlerë. Asnjë vendi nuk i duhet uruar një “revolucion i madh”. Revolucioni, kudo ku ka shpërthyer, e ka hedhur popullin e vendit të vet në humnerën e humbjes e të shkatërrimit. Sa shtrenjtë e paguan revolucionin vendet ku i trokiti në derë e i hyri brenda me forcë. E çfarë çmimi i paguam ne shqiptarët revolucionit tonë komunist!

Vandea ishte një kryengritje e madhe me pasojë viktima të pafund. Rusia pati Vandenë e vet: kryengritjen e Tambovit në vitet 1920-1921, ku njerëzit me kosa në dorë dolën rrugët e qytetit, por u grinë nga mitralozët. Këto kryengritje zgjatën për njëmbëdhjetë muaj, edhe pse komunistët i shtypën të gjitha, deri duke përdorur avionët për bombardime, hodhën gaz, gjuajtën me tanke shtëpitë, duke shfarosur deri edhe fëmijët e gratë. Vandea u përsërit edhe në ngjarjet e Siberisë Perëndimore, të vitit 1921. Rezistencë bënë edhe kozakët e Uraleve, të Donit, të Kubanit, të Terskut, por qe një rezistencë e mbytur në gjak.

Vandea u përsërit në Poloni, në zonën e Krakovisë dhe në Dansk; Vandenë e vet e pati Hungaria në ngjarjet e revoltës së vitit 1956; Vandea e Gjermanisë Lindore ndodhi në vitin 1948, por u gri nga mitralozët. Vandea u përsërit edhe në Rumani, në Sibiu e në Timoshoara. Edhe shqiptarët e Kosovës, që në fillim, në vitit 1944-1945, patën Vandenë e tyre plot gjak e krime, me masakrën e Tivarit, sa për të kujtuar njërën. Vandea u përsërit kudo. Nuk ka vend ku pllakosi komunizmi, që nuk ka Vandenë e vet.

Edhe ne shqiptaret kemi pasur Vandenë tonë. Krejt zona e Shkodrës dhe vetë qyteti krijuan Vandenë e tyre. Kryengritja e Preng Calit, e Llesh Marashit, ajo e Postribës, luftërat në male, janë revoltat, ndërsa Komiteti i Maleve, grupet rinore të gjimnazistëve të ndryshëm, Bashkimi Shqiptar, Përpjekja Shqiptare e shumë të tjera, janë të gjithë me ADN e përngjashme të rezistencës vandease franceze. Të gjitha po si ajo mbyten në gjak, dënohen me pushkatime, kalben në burgje, sakatohen në masa drakoniane. Të gjitha me akuzën e ultët: jeni reaksionarë. Po çfarë do të thotë reaksionar? Re-action. Pra ta kthejnë veprimin pas në kohë, të korrigjojnë veprimet e kryera, të shërojnë institucionet, me qëllim një efekt pozitiv mbi shoqërinë. Si në përpjekjen vandease, të gjitha donin të çonin në vend drejtësinë e nëpërkëmbur, kur një forcë e errët e ka përdhosur. “Reaksioni” – thotë Solxhenicin, – “bart një shenjtëri të madhe veprimi. Është drejtësia që ka rënë poshtë e i duhet dhënë një dorë për ta ngritur në këmbë”.

Sa mirë do të ishte sikur edhe në Shkodër të ngrihej një monument i madh, ku të përkujtoheshin të gjitha grupet studentore të gjimnazit, të rinjtë e panumërt, që trimërisht dhe heroikisht, kontribuan në një rezistencë e në një reaksion të tillë, viktimat e pafaj, martirët, klerikët, qëndrestarët, vandeasit tonë.

Po kë sulmon revolucioni? Cilët janë kundërshtarët e tij? Përgjigja më e mirë është në rreshtat e fillimit të ftesës: ata njerëz me vlera që ky qytet pat.
Po pse këto masakra janë në një numër kaq të madh? Pse është nevoja për kaq shumë viktima? Merrni personazhet më të poshtër të letërsisë botërore, kujtoni Jagon intrigant, që i çon njerëzit në vrasje, mos harroni Makbethin me të shoqen, kujtohuni për Danten me Ferrin e tij. Jago është vetëm një maskara, Makbethi një kriminel. Viktimat e tij nuk bëhen as dhjetë. Atë e shtyn frika të bëhet kriminel, se i trembet humbjes së fronin. Por krimet e tij janë fëmijënore! Djajtë e Ferrit të Dantes janë engjej të rënë, që sorollaten në zgafellat e errëta e që Dantja e Virgjili i shohin se fluturojnë mbi kokat e tyre, pa i bërë vizitorëve specialë asnjë dëm.

Këta kulme të negativitetit të mishëruar në figura artistike, janë çiliminj po t’i krahasosh me atë që shkaktuan çlirimtarët tanë të ardhur në pushtet. Po pse pra këta janë të tillë, që planifikojnë deri në 14.000 arrestime e kërkojnë 4000 pushkatime, për vetëm një zonë e një qytet? Këtu nuk kemi të bëjmë me një intrigë dashurie, ku të shërbejë Jago, e nuk bëhet fjalë për një mbret që përpiqet të ruajë karrigen e vet e i duhet të eliminojë rivalin! Është diçka tjetër, më e tmerrshme: është ideologjia. Ajo është bomba atomike, me shtrije të gjerë veprimi e me valë goditëse rrënuese, me forcën më mashtruese të pretendimit se po bën drejtësinë.

Zbatuesit e ideologjisë as që përpiqen ta fshehin të keqen, ta justifikojnë atë, por e trumbetojnë, duke e quajtur krimin fitore, duke kujtuar se po realizojnë një shërbim të madh. Prandaj krenaria është pjesë e psikologjisë së tyre, pafytyrësia është virtyti me të cilin mburren. Komunizmi nuk përdor një bisturi delikate për një ndërhyrje, por një sopatë kasapi. Ai ka shumë pak argumente. Për të s’ia vlejnë teoritë e sofistikuara, por vetëm shkopi, burgu, kampi i intenimit. Për komunizmin nuk ka moral absolut, e mira dhe e keqja nuk janë kategori të padiskutueshme. Morali për të është relativ. Ai që është i padiskutueshëm është vetëm morali i klasës. Edhe vrasja, po, po, edhe vrasja e mijëra njerëzve mund të konsiderohet një gjë e mirë, sipas situatës politike. Kjo varet nga ideologjia e klasës. Po kush është ai që e përcakton këtë ideologji të klasës?

Përgjigja është e thjeshtë. Klasa mbarë, klasa punëtore dhe fshatarësia. Po klasa mbarë, klasa punëtore e fshatarësia nuk mund të bëhen bashkë e të vijnë në takim që të gjykojnë se çfarë është e mirë apo e keqe. Atëherë, si ta zgjidhim? Kuptohet, do të jetë një grup i vogël ai që do ta vendosë, si deputetët që janë të deleguarit e një populli mbarë. Janë këta përfaqësues që vendosin kë të mbajnë në jetë e këtë të dërgojnë në varr, në mënyrë që të vendoset drejtësia. Një pakicë, partia, aristokracia e vendimmarrjes, merr atributet të vendosë për shumicën. Krimet e saj marrin justifikimin demoniak se janë bërë për të mirën e një shumice të madhe, shumë të madhe.

Ja pra ku vijmë. Ai vendimi i grupit të vogël – që pretendon se është mendja dhe zemra e klasës punëtore që vendos kë të mbajë në jetë e kë të çojë në varr, – ai vendim merret në emër të disa ideve. Këta ide grupimi i shndërron në ideologji. Ideologjia justifikon të keqen, i jep vendimeve statusin e një gjëje të drejtë. Ishte ideologjia ajo që e sulmoi Shkodrën. Ajo vlerësoi se trupit të saj shoqëror i duheshin hedhur në varr 4000 veta e në burgje 14.000 të tjerë. Po si ia bëri zemra? Sepse ideologjia krijon genocidin në emër të ideve të mëdha. “Duhet ndërtuar bota e re!” – urdhëronte Enver Hoxha. “Të pastrohet zona dhe qyteti!” – “Si urdhëron!” – përgjigjej Shefqet Peçi! Qëllime shumë të mëdha! “Njeriu” – thotë Solxhenicin, – “për ta bërë të keqen, duhet ta ndjejë si një veprim të ligjshëm e të menduar mirë”. Natyra njerëzore kërkon një justifikim të veprimeve që do të kryejë. Ideologjia është justifikimi i së keqes.

Frika e Makbethit se po humbet fronin është shumë egoiste, e vogël, qesharake. Ideologjia të zgjidh punë. Ajo jo vetëm që nuk të bën të ndjehesh fajtor, por të garanton se je në shërbim të popullit. Ideologjia madje na siguron edhe lëvdata, sepse i shërbehet një mase shumë të madhe: klasës. Nazistët me racën, që i shërbyen gjoja pastërtisë dhe epërsisë së kombit gjerman, jakobinët me idetë e revolucionit, që gjoja shembën regjimin e vjetër dhe komunistët me diktaturën e proletariatit, që gjoja sollën drejtësinë shoqërore, kujtojnë se po i shërbejnë kombit atëherë dhe brezave pasardhës, në të ardhmen. Prandaj, në shekullin e njëzetë, ishte ideologjia ajo që veproi mbi masa të mëdha e krijoi miliona viktima në njerëz.

Kush i asgjësoi njerëzit e pafajshëm? Maskarenjtë, kriminelët, keqbërësit. Pa ta regjimi nuk do të kishte ekzistuar. Nuk mund të kuptohet komunizmi pa mizorinë e Enver Hoxhës, pa hipokritët kriminelë, anëtarë të Byrosë Politike, pa drejtorët e burgjeve, pa hetuesit sadistë, pa policët e pamëshirshëm të birucave, pa gjykatësit e pazemër, pa spiunët e dëmshëm e sa e sa të tjerë. Po në Shkodër, sa shumë emra mund të gjejmë? Të gjithë masakrenj të regjur njëzetekatër karatçë. Pse u gjenden në këto pozita? Sepse të poshtërit i thirri koha. Jo më kot Enver Hoxha kërkonte për Seksionin e Mbrojtjes së Popullit, që në dhjetor të vitit 1944, që të mobilizoheshin njerëz pa shkolla, mundësisht pa asnjë formin, pra kuptohet, të poshtër, çerdhe të padijes që lehtësisht viheshin në shërbim të krimit.
Kush i bën ballë komunizmit? Kush e mund atë, sepse ne e pamë të rrëzuar e të marrë zvarrë! Komunizmi, me gjithë agresivitetin e tij të paimagjinueshëm, e ka themrën e tij të Akilit: ai tërhiqet po gjeti edhe vetëm një vullnet të pamposhtur, edhe vetëm një individ.

Kur një njeri vendos të qëndrojë deri në fund, pa pasur frikë për jetën tij, komunizmi këtu tregon dobësinë e vet. Pse? Sepse nuk mund ta mposhtë atë, edhe nëse e vret. Përpara këtij njeriu, ai është i thyer. E kur kujton se pati vullnete që, ndërsa shkonin të vriteshin, këndonin e kur gjendeshin para skuadrave të pushkatimit, i falnin armiqtë e tyre, ata që i kishin arrestuar, masakruar, dënuar e tani që po i vrisnin. Përpara tipave të tillë, komunizmi është i mbaruar. Prandaj, duhej marrë një qëndrim, një vendim: viktima duhet të bëhej gati për sakrificën. Shumë ishin ata që vendosën kështu! Këta e sfiduan komunizmin, këta ia rrëzuan muret kështjellës së tij, këta ia përmbysën edhe themelet. Edhe nga Shkodra e jonë këta tipa e çarmatosën, ia kanë hequr fuqinë goditëse, e poshtëruan. Komunizmi ka rënë prej këtyre. Këta janë heronjtë që e rrëzuan, jo në vitin 1990, por shumë vite më parë, pikërisht ditën që vendosën ta sfidonin atë.

Njeriu që vendos të qëndrojë, është i lirë! Ai e ka kuptuar se nuk mund të jenë skllav i asgjëje në këtë botë, e prandaj reziston. Kjo rezistencë u jep këtyre tipave një “un” të fortë e të qëndrueshëm, në të gjitha rrethanat. Në komunizmin nuk ka vend për rastin. Ai nuk ekziston, përkundrazi, ka shenja që duhet t’i kuptosh e t’i ndjekësh. Njerëzve të tillë mund t’ua marrësh jetën, por ata mund t’a çarmatosin xhelatin duke ua bërë dhuratë qenien e tyre. Kur njeriu mbërrin këtu, kur kalon shumë shtigje e labirinthe të dhimbshme, pas kësaj rrugë të mundimshme, e pret vetëm kapërcimi solemn i vuajtjes e i poshtërimit. Këtu ai merr statusin e martirit, që është shprehja më e lartë e dinjitetit të qenies njerëzore. Jam i sigurt se Shkodra dhe zona kanë nxjerë shumë prej këtyre kolosëve dinjitarë martirë.
Këtyre qëndrestarëve, këtyre intelektualëve, të ndershëmve, këtyre të diturve Arti u detyrohet shumë, letërsia shqipe u ka borxhe. Arti duhet t’i kthente në figura artistike, sepse ai art që ka në qendër martirin, është misionar. Dhimbja e pasqyruar në art, është forca më e madhe shprehëse e bukurisë.

Ky art mungoi e fatkeqësisht, mungon edhe sot. Edhe pse në liri, shkrimtarët tanë të papenguar mund të flasin për ngjarjet e heronjtë. Ata na kërkojnë, ata na thërrasin, atyre u kemi borxh shembullin që dhanë, forcën e qëndresës, idetë që përçuan, moralin e tyre të lartë që e ngritën në standard.

Më vjen tani natyrshëm një pyetje: kur rruga e transmetimit të vlerave në diktaturë u mbyll, kush i përcolli ato? Kush e shpëtoi shpirtin e këtij qyteti e të kësaj zone, kur çdo burim drite iu pre e kur errësira e sulmoi? Përgjigja është kjo: vetëm familja. Ajo iu kundërvu një regjimi të tërë, një sistemi. Ajo u bë Universiteti pa rektorat, pa seli, pa salla leksionesh, pa biblioteka, pa profesorë të njohur, pa asgjë! Familja, që gjendej rrugë më rrugë e lagje për lagje. Ajo mori detyrën unike e të papërsëritshme më parë në histori: mori detyrën të fliste, jo nga katedra e shkollës, por nga dhoma e mbyllur shtëpiake, larg çdo veshi kurreshtar e të rrezikshëm. Ajo thoshte: “mos, kujdes, mos bashkëpuno, mos fol, mos u dorëzo, mos trego, mos i beso, mos i duaj, mos të kesh hezitim, mos ushqe iluzione!”. Këto fjalë të thëna në formë ftese dhe urdhi, mësimi e kërkese, çdo ditë, shumë herë në ditë, në shumë shtëpi, në shumë lagje, përsëritje pa fund, ky ishte ushqimi mbrojtës.

Prandaj, më shumë me mirënjohje se me mburrje, duhet të themi se takime të tilla zhvillohen në këtë qytet e mungojnë tërësisht në zona të tjera të vendit. Pse? Se familja atje nuk foli. Edhe nëse foli, ishin shumë të pakta mendjet që e njihnin të vërtetën, pak gojët kurajoze që e transmetuan, e për pasojë, pak veshët që dëgjuan. Prandaj ky vend ende vuan, se familja nuk ka folur, nuk ka mbrojtur, nuk ka vaksinuar. Kemi edhe sot masa që enden sa andej këndej, njerëz që shiten për një vend pune, individë që shesin votën për pesë lekë. Ja pse liria sot vonon të ndjehet si nevojë e bëhet kompromis me uzurpatorët e djeshëm, që kanë ndërruar emrat! Ka çoroditje të idealeve, tradhti nga më të ultat politike me pasojë poshtërimin personal, sa qesharak aq edhe dramatik. Njerëz të shumtë janë pa tharmin, pa vitaminat, pa forcën. Janë individët pa ato “mos” – ët e përshpëritura miliona herë në Shkodër.

A mos me këtë po them se jemi vetëm? Ndoshta, por kjo e jona është një vetmi që nuk na dëshpëron. Lartësia që mbërrin është e madhe, në majat je vetëm, nuk të ndjekin. Por është një vetmi fisnike.

Çfarë fati që Shqipëria ka një qytet me këtë Universitet të veçantë, mësimet e të cilës nuk plaken, tharmi i saj nuk vjetërohet. Familja nuk pati libra filozofie të konservatorizmit që të ofronte, leksione të shkencave politike të demokracisë e të kartave themelore të lirive e të drejtave njeriut, por vetëm këto pilula të vogla, të përditshme e shumë ushqyese.

Mendimet e Shkodrës, për virtyt të këtyre leksioneve, të dhëna kohë më parë e të shumta në numër, të ngulitura thellë deri në nënvetëdijen e brezave e të përcjellë edhe brezave të tjerë që vijnë, janë mendimet e Shqipërisë, e asaj që duhet të jetë: e të së ardhmes. Prandaj, kësaj familjeje, këtyre familjeve në shumës, u detyrohet i gjithë vendi. Varet se kur do të zgjohen nga gjumi e ta kuptojnë.

Mendoj se në “Librin e Zi të Komunizmit Shkodran” të shkruhet një faqe e bardhë për familjen. Ajo ka kryer një shërbim tepër të madh, një mision: rritjen, formimin dhe shpëtimin e individit të qytetit tonë. Merita e saj është e padiskutueshme. Mirënjohja e jonë është e domosdoshme.

2 KOMENTE

  1. Nji kronologji mbase e domosdoshme e pershkrueme me realizem nga z. Marçel Hila, që permend me emna konkret spiunet e torturuesit hetues gjakatarë, qe ushtruen genocid mbi shkodranë e rrethina, te gjitha keto te mbeshtetuna ne libra me kujtime te At Pllumit, At Gjolaj, Ahmet Bushati, Sami Repishti etj.

    Mund te shfrytzohet edhe nji liber i Lek Parubit, “50 – vjet n’mergim e n’Shqipni”, ku permend torturues e xhahila perbindsha.

Komentet janë mbyllur.