VEJUSHA

0
342
Kristaq Turtulli - Litari i Mallit

Kristaq Turtulli KRISTAQ TURTULLI

tregim

Kur duhej të mendoja diçka të gëzueshme, çlodhëse, si fjala vjen të rija pranë detit të kaltër, ulur në tavernë me miq. Të thithja jodin, të merrja rreze violet, të pija birrë të ftohtë Korçe. Të luaja poker dhe sikur të himbisja disa dollarë, nuk do përmbysej bota. Do ta shihja me dashamirësi mikun fitues dhe do ta ftoja të pinim një dopio wisky me akull.

Fundja njëherë edhe do humbësh në bixhos, gjithnjë s’mund të fitosh, mbasi të shmang nga mendja qoftë për një kohë të shkurtër këtë kohë të çmendur, stresin e gjatë shkaktuar nga pandemia. Per dreq na doli ne skene nje tjeter virus me emrin Omikron, dhe… o burra, hajt të bëjmë vaksina. Nuk janë të mjaftueshme dy vaksina, por duhet të bëhen tre, katër, pesë… Një Zot e di!

Të ëmën s’ ëmës! Ç’është kjo dorë e hidhur që luan me jetën e njerëzve, pse nuk i lënë të jetojnë jetën e tyre dhe të vdesin prej dorës së Zotit?!

Ka ditë që, prej memedheut vijne lajme jo fort te kendshme, çarjen e madhe te Partise Demokratike te cilen e mbeshteta me gjithe shpirt qysh ne ditet e para te krijimit. Më rrëmbeu estuziasmi dhe dëshira për të parë më në fund vendin tim të dashur, ku të parët e mi bënë aq shumë për këtë vend, si rrallë tjetër, si gjithë Europa.

Dhe… Hej dreq, ç’domethënë kjo dhe?!
Hëm! Dhe… çuditërisht me erdhi ne mendje vejusha e kolme dhe pranvera e hidhur e vitit 1997.

Them të drejtën s’u ndjeva mire.. Perse pikerisht duhet te me kujtohej ajo vejushe?!
Vejusha me sytë zgjeruar nga trishtimi me kërkoi me ngulm të darkonim së bashku. Me vështirësi mundi të gjente në treg verë të mirë gjithashtu siguroi mish të freskët, megjithëse çmimet ishin shumë të larta dhe mishi ishte me pakicë. Duke u përkëdhelur si kone më tha, se të gjitha këto do t’i përgatiste në darkën intime.

Vejusha, mu përdrodh si ngjalë, në fustanin e kuq, të ndezur, dallova magjishëm trëndafilin e gjoksit. Ajo ishte jashtëzakonisht elastike dhe me trishtim hoqi dorë nga kërkesa të më tregonte vazhdimin e historisë të pështirë të minjve dhe gjarpërinjve. Gjithashtu dhe përfundimin çudibërës e zogjve të mëdhenj dhe pendartë. Ajo donte një bisedë intime, me nevojën të shpreheshim, të dashuroheshim dhe të bënim seks pa kokëçarje. Vejusha arriti deri aty, më tha se s’do bëhej pengesë për ndonjë femër tjetër që do ndeshja në rrugë, me kusht të përsëritej nata e orgjisë, kur plaku i verbër u gjend i varur në hekurat e korridorit.

‘Ajo copës natë ishte një det i trazuar në shpirtin tim, vejusha qe e bindur për këtë dhe dallgëzimin shpirtëror, përderisa e thurte bisedën në atë mënyrë dhe shmangia ime ishte e vështirë. Ajo e njihte shpirtin e trishtuar mashkullor, ndaj kërkonte të prehej, ndoshta përkohësisht. Kushdo e lypte këtë, e aq më tepër ajo që vazhdimisht kishte falur epsh dhe aspak dashuri.

Unë provova një mjegullnajë epshore, nën dritën e kuqe të abazhurëve, përqark shtratit me hekura. Ndoshta ish për të dy, një pushin, një çlodhje e shkurtër, një frymëmarrje e shpejtë në shkretëtirë. Një ankth që u grumbullua nga sekonda në sekondë, nga minuta në minutë dhe nga dita në ditë. Ky ankth gërryen si kancer pjesët e brendshme të njeriut. Thellë në shpirt s’ kisha të drejtë ta fyeja. Bëri të pamundurën, mu dha e tëra, atë që mund të kryente një grua e mençur, që kish dhënë prova dhe kaluar në jetën e vet sprova të mëdha.

Vejusha iku duke luajtur tinëzisht gjinjtë e mëdhenj, si një mjeshtre e sprovuar. Ato gjinj të bardhë, të plotë, mi mbështolli rreth fytyrës, aty në dush, më dukej sikur kullonin qumësht dhe ajo vështronte ngeshëm përpëlitjen e syve të mi. She pëshpëriste si në agoni: ‘Shpejt, shpejt, më shtrëngo, mos u vono, dua të ndjej, të digjem me ty, brenda vetes.’ Ne hymë te njëri tjetri dhe kulluam në ekstazë.

Ajo iku, mund ta thërrisja, isha i bindur, do vinte më shpejtësi, por diçka e çuditshme më shtrëngonte fort dhe më shkaktonte në gojë shijen e hidhur të pendimit.

Dhoma dergjej në mugëtirë. Dritë nuk kish. Ndeza llambën të sajuar me kavanoz e me një fitil të futur në vajgur. Digjej më ngadalë si qirinjtë. E mësova nga nëna, kue e vendoste në qoshe të dhomës, aty ku ishin ikonat. Ajo ishte një fetare e mirë dhe e bindur. Edhe pas prishjes së kishave dhe xhamive, nëna ime i bënte fshehurazi ritet fetare. Kthinën e vogël të ikonave e mbulonte me një perde të mos dukej. Fati na shpëtoi, gjatë bastisjes së shtëpisë, kur babai ishte marrë në hetuesi, nëna i hoqi ikonat dhe fshehu diku.

Vejusha hyri brenda në dhomë, u ul pranë meje, buzë shtratit dhe mori gotën që e harrova mbi tavolinë qysh në mëngjes.
– Dhomë e mrekullueshme e një beqari, – vejusha foli ngadalë, pa vështruar fare nga unë, thua sikur nuk i interesonte fare prania ime.
– Ç’dërdëllis kështu, – i thashë:- Përse erdhe tek unë?
Ajo më hodhi një vështrim shumë të gjatë.
– Eja të ngremë atë plakë të gjorë, i ka rënë të fikët.

Në sytë e saj dallova trishtim. E vështrova një hop, mos donte të më mbante shtrënguar, në grep me shkakun plakë.
– Eja, – tha vejusha, – megjithëse ma ka qejfi të qëndroj këtu me ty, në këtë katrahure. E di që anarkia në raste të veçanta të josh, por në raste të veçanta ama, sepse për gjithmonë të mbaron…
– Ta dija që do ngjiteshe tek unë do mbyllja derën çelës, – i thashë. Sa doja ta përqafoja, ta shtrëngoja fort, ta thithja. Por se kuptoja përse isha nervoz dhe apatik.
– S’ma merr mendja ta bëje, s’ke arsye. Kur një femër të troket në derë, duhet ta hapësh. S’fyhet një dorë që troket dhe një zemër që hyn. Por ti lëmë këto, eja të ikim.?

Isha apatik, dëshira e të ngrënit të zgjedhur dhe verës së mirë, sidomos e të bërit seks, me ishte shuar përfundimisht.

Rrëmbushja e syve të saj dhe lotët e mëdhenj u rrokullisën në mollëzat e plota, kaluan në mjekër, pastaj pikuan në trëndafilin e gjoksit si pika shiu. U tundova keqas, mu dhimbs. Ajo e gjora s’kërkonte gjë, veç dashuri të qetë, larg halleve dhe streseve shkaktuar prej pranvesës së hidhur. Me dukej sikur e bënte më tepër për mua, sesa për veten. Duart m’u varën dhe isha gati të bëhesha pre e dëshirave trupore. Por një zë u ngrit së thelli, më ndali. Ishte një zë i prerë, i ashpër, që më drodhi dhe me fshiu çdo ndjenjë mishtore. Iu luta të largohej, mund ta linim një ditë tjetër. Ajo shqeu sytë nga habia, ashtu siç ishin të përmbytur nga lotët. I thashë sërish. e lemë një ditë tjetër. Gjoksi i madh dhe i bardhë i ngrihej dhe ulej vrulltas.

– Një darkë në vetmi është vetëvrasje,- më foli ashpër.
Si ktheva përgjigje, të mos e fyeja i urova natën e mirë!
– Më thua natën e mirë!- klithi ajo:- S’ke turp të turpërohesh! Në këtë mishmash më lë të digjem, të përvëlohem!?
Ngulmimi i saj ishte i padurueshëm, por dhe i dhimbshëm. As vetë nuk e kuptoja përse s’pranoja të darkoja dhe të bëja seks me të. Ç’ishte ky zë i brendshëm që më shkundte, më ndalonte të shijoja një darkë të bollshme dhe të bëja seks me një femër të mrekullueshme. M’u duk sikur dikush ma shtyu krahun dhe unë i mbylla derën vejushës në fytyrë. Ajo shau dhe dera u drodh fort, me siguri e kishte shkelmuar.
– Murg i ndyrë! Je mashkull apo çfarë dreqin je?! Femra e gjorë të hap këmbët përpara syve, ndërsa ti më përdridhesh si karavidhe. Hy, kafshë pa koqe.

U plasa në shtrat dhe mbylla sytë. Fillova të dëgjoja në brendësi të vetes heshtjen e botës. S’po hyja në brendësi veprimeve të mia, thua të ishin të pavullnetshme. Si një gromësimë e brendshme vjella vrer. Vejusha ishte e pafaj dhe e gjykoja padrejtësisht. Ajo qe një shpirt i braktisur që jepte dhe kërkonte paqe.

Isha gati të ngrihesha, të zbrisja rrëmbimthi shkallët prej dërrasë, ta ktheja nga rruga, atë femër, që kërkonte të gjente ngrohtësi dhe dashuri në karakatinën tonë. Ku një pjesë e dritareve të shumta janë zënë me katroma dhe tulla të shkalafitura. Vërtet do të brofja nga shtrati. Në fund të fundit humbësi nuk do të isha unë, por gjithsesi as e vejusha. Humbës do të ish nata e gjatë e lodhshme dhe nuk do të kruante dhëmbët si të donte me ne.

Ndjehesha i pafuqishëm të ngrihesha dhe pajtohesha me vejushën. Le të tregonte çfarë të donte, për minjtë, gjarpërinjtë edhe për zogjtë e mëdhenj pendartë. Do ta dëgjoja urtësisht, duke pirë verë dhe përtypur bërxolla, me parazitizëm të përkryer. E vendosa, e në qofte s’ më pranonte, do t’i lutesha. Do ta shtrëngoja në gji, do ta puthja me afsh, në buzë, në sy, në qafë, në gjoks, në barkun e bardhë, do zbrisja më poshtë te vendi i bekuar dhe do harrohesha aty. Hapa sytë, mora vrull, si një notar që kërcen nga trampolina, për t’u zhytur në ujë, kur… O Zot!

Pranë derës qëndronte vajza. Oh përse erdhe!?
Më përshëndeti me sy dhe u ul pikërisht në vendin ku ishte ulur herën e parë. Mbështjellë me petkun e çuditshëm, që ngjan aq shumë me çarçafin e bardhë. Bëra habi, si nuk e dëgjova trokitjen e derës, apo zhurmën e menteshave tek lëviz kanati i derës. Një hop m’u bë se mos ish ndonjë trill i harbuar i syve, pas një sherri gati idiot me vejushën dhe kurmi i saj më tjetërsohej. Megjithatë pranova një farë inati, nuk lypja askënd të bujte në mesnatë, aq befasisht, kur trupi dhe truri kërkojnë prehje e qetësi. Vejusha ma lypi seksin, ndërsa kjo më mpin më bën akull, sikur ke përpara një të vdekur. Shikimi i saj ishte shpues…

Fërkova sytë për t’u gjendur në punë. Isha shumë i hutuar.
– Nuk më prisje: – Më foli ajo.
– Jo, – i thashë: -Nuk të prisja.
– E di, – foli ajo thatë:- Edhe me vejushën bëre fjalë. Ajo është e bardhë e kolme, zjarr e flakë. Është femër.

Pse ti nuk je femër, doja ti thosha, por nuk munda. Më ish lidhur gjuha.
-Femër?!
-Po femër…
-Vërtet?!
– Sa mirë të qe sikur të isha si ajo…

Zgurdullova sytë nga habia, goja m’u kyç dhe nuk munda të thosha gjysmë fjalë. Gjumi m’u largua sakaq. Përpara kësaj GJë-je, ndjehesha në boshllëk. E vështrova me kujdes, dukej jashtëzakonisht e zbehtë. Pjesët e harkuara të syve, kishin një të kuqërremtë të vrarë. Maja e hundës ishte e holluar, në ngjyrë paksa mavi. Edhe qafa e hajthme kish një hollim gati të padukshëm. Një moment më ngjau skelet. Pa e kuptuar u drodha. Me siguri vuante nga një sëmundje të rëndë, e pashërueshme. Ndjeva dhembshuri për të, inati mu fashit, por njëherësh ndjeva dhe frikë…

Jashtë u dëgjuan breshëri të gjata automatiku.
Dhe mu bë sikur dëgjova zërin e plakut të verbër që u vetëvar dje në hekurat e përdredura të korridorit:
‘Or djalë i mbarë, vetmia e njeriut nuk është gjë tjetër veçse frika për jetën dhe vdekjen…

KRISTAQ@TURTULLI