VËLLIMI POETIK “ZËRI I SHTEGTARIT” I POETIT SHAHIT SHALA…

0
656

POEZI ME LARYSHI MOTIVESH DHE TEMASH TË TRAJTUARA

Shkruan Zymer Mehani

Poezitë e vëllimit “Zëri i shtegtarit” të poetit mërgimtar z. Sahit Shala shquhen për laryshi motivesh dhe temash të trajtuara, për ndërtimin e vargut e mbi të gjitha ato i veçon përdorimi i drejtë i gjuhës dhe fjalori i përzgjedhur. Pra, që në vargjet e para të vëllimit në fjalë, menjëherë dallohet qartë kujdesi ndaj gjuhës letrare. Ajo është e zbukuruar dhe e pajisur me figuracion të mjaftueshëm poetik. Këto poezi kanë energji, ndjeshmëri dhe origjinalitet.

Prej motiveve që hasim në këtë vëllim poetik përmendim: motivin e kurbetit (poezitë “Dy herë i huaj”, “Kurbetçari”, “Për një copë bukë”, “Zëri i shtegtarit”, që ia jep edhe emrin këtij vëllimi, mandej “Malli”, “Më dha jeta” etj); motivin e atdhedashurisë (poezitë “17 Shkurti”, “Bacës Isë”, “Dëshmorit të lirisë, Blerim Balaj”, “Djemtë e shqipes”, “ Jam shqiptar”, “Kuq e Zi”, “Mos ma vë kombin në heshtje” e ndonjë tjetër. Në vëllimin “Zëri i shtegtarit” i theksuar është edhe motivi social, si në poezitë “Dorë e shtrirë”, “Edhe unë jam…”, “Emrin ma thonë hamall” etj. Pastaj, kemi të trajtuar edhe motivin e dashurisë, në poezitë “Hajde sonte”, “Kosovares”, “Kur hëna duket”, “Kur m’shikon”, “Kur mendon”, “Kur nata puqet” etj. etj.

Për poetin z Sahit Shala fjala duhet të mbete gjithmonë e dëlirë dhe gjithmonë të ruhet e pastër. Këtë motiv poeti me sukses e shtjellon në poezitë e ciklit për fjalën “Fjala”, “Fjalë e lirë”, “Fjalë të pendës”, “Fol me zemër”.
Poezi të tjera të thurura mjeshtrisht janë edhe: “Fshatit tim”, “Gjel Kokoti”, “Gjergji i vogël” etj.

Poezia e poetit Sahit Shala nuk trajton vetëm tema “poetike”. Ajo nuk merret me tema të mëdha a senzacionale, por në të shtjellohen ide për dukuri dhe fenomene të zakonshme, të përhershme dhe të vazhdueshme. Poeti është person që jeton në mesin e njerëzve, i cili shkruan për atë që e intereson tërë njerëzimin. Pra, edhe poeti Shala në këtë kontekst është i tillë, d.m.th. universal, origjinal në shrime dhe në stil.
Shumica e poezive të vëllimit “Zëri i shtegtarit” janë të shkruara me vargje të shkurtra dhe me rimë të thjeshtë. Po ashtu edhe lënda e poezive është e përzgjedhur.

Ja si e portretizon poeti Shala figurën kolosale të patriotit Isa Boletini:

“Lordit Grey i tha në sy
-Për të gjallë armët s’i dorëzoj!
Nxuer nagantin pranë ia lëshoi”
(Poezia “Bacës Isë”)

Poeti me mjeshtëri artistike e ka ravijëzuar poertretin e atdhetarit tonë. Këtu Isa na del tejet trim dhe i vendosur karshi të huajve, ashtu siç ishte edhe në të vërtetë, sikurse e tregon dhe historia jonë kombëtare. Ndërsa figura e dëshmorit Blerim Balaj në vargjet e poetit Sahit Shala na del ashtu siç ishte në të vërtetë:

“Ndër shqiponjat më të para
Që bëjnë rreshta në aradha
Ishte trimi, Blerim Bala”.
(Poezia “Dëshmorit të kombit, Blerim Balaj”)

Kurse motivin e kurbetit do ta ilustrojmë me këto vargje të poetit Shala:

“Po ta dija, për pak vite
Se dhe vetë do jem shtegtar
Ika me tri dallëndyshe
Larg n’veri, këtu kem ardhë”
(Poezia “Zëri i shtegtarit”)

Ajo që e përbën thelbin e poezive të poetit Sahit Shala është përzgjedhja e ngjarjeve dhe e situatave nga jeta e rëndomtë, të shpjeguara apo të përshkruara me një gjuhë të kujdesshme, me të cilën vërtet flasin njerëzit e urtë.

Dhe krejt për fund, shihet qartë se këto poezi të vëllimit “Zëri i shtegtarit” janë prodhim i imagjinatës së poetit Sahit Shala të shkruara me ndjenja të vërteta dhe botëkuptim të vërtetë njerëzor.