Vepër e idesë së shenjtë të vetëflijimit dhe të përjetësisë

0
901
Isak Ahmeti

Isak Ahmeti

(Fragment studimi)

Romani “Ferri i lodhur“, ShB “Faik Konica” Prishtinë, 2007, fq. 274, i Anton Nikë Berishës, me nëntitullin “Rrëfim më i dhimbshëm se dhimbja dhe më i pikëllueshëm se pikëllkmi i një vajze, që mbijetoi luftën e Kosovës në vitin 1999, një metaforë e çmueshme, që përtërin traditën teologjike të Krishterimit“, është ngjizje e disa rrëfimeve që, siç thuhet në roman “i dhanë pabesueshëm njëri-tjetrit dhe u ngjizën në një të vetëm si uji me miellin kur zihet brumi e bëhet bukë. Ec e ndaj pastaj“.

I strukturuar në njëzet kapituj, romani nis me tekstin në kursiv të titulluar: Qendismë fjalësh që shoqërohet me dy tekste – moto shumë të veçanta, njëri i Anton Pashkut, prijatar i letërsisë moderne shqipe, jo vetëm në Kosovë, dhe tjetri i Jose Samagos, shkrimtar nobelist i letërsisë portugeze, ndërsa përfundon me tekstin, poashtu në kursiv, e titull: “Na ishte njëherë dhe është“…

Mjeshtëria e shtjellimt dhe e sistemit shprehës

Duke analizuar mjeshtërinë artistike të shtjellimit e të sistemit shprehës poetik të romanit “Ferri i lodhur” dhe duke zbërthyer me një profesionalizëm e me një kulturë të gjërë, në rrafshe filozofike, eseistike dhe psikologjike, simbolikën, simbolikat e tekstit, universalizmin e fakteve jetësore të bartura në art, mesazhet për ngjarje të veçanta dhe mesazhin e përgjithshëm të veprës, Domeniko Korradin H. Brusard thotë: “Berisha, me durim dhe dije ka sendërtuar gurët e mozaikut dhe vetë mozaikun, nuk mbetet as tragjedia e një populli. Mbetët vetëm tragjedia…”.

Sipas studiuesit, Anton Çefa, romani “Ferri i lodhur” shquhet me idenë e shenjtë të vijimësisë dhe përjetësisë që mund të sendërtohet vetëm pranë vatrës, por merr dimensione të gjera…

Simbolika e Vatrës – emrat e personazheve

Është me rëndësi të theksohet se vetë emrat e personazheve mishërojnë simbolikën e Vatrës, simbolikën e dheut tonë: Sutë Sutorja, Nënë Rozafa, dajë Bardhi, Lulash Gurra, Bul Kreshpani, Balë Frashnjeti, Drinas Shani, Buzoku, Yllori, Shyta, Zoga, Shega, etj., ndërsa emrat e atyre që shkaktojnë krime, të keqen, tragjikën, mungojnë. Në një gjendje të rëndë, të thuash rrënuese, shpirtërore, ata quhen thjeshtë “uniforma” ose “paraushtarakë”. Në simbolikën e Vatrës, shkruan Anton Çefa, është shndërruar në realitet artistik vetëdija historike dhe vetëdija mitike e botës sonë.

Në përsiatjet e Sutës për Kosovën, mishërohen përpjekjet këmbëngulëse për të mos u larguar nga trojet e trashëguara prej të parëve. Vetëm kështu mund të sigurohet e ardhmja e saj. Duke ecur e pasigurtë në fatin e vet drejt një lugshtaje, Suta mendon më vete “Njeriu ynë nuk braktis vatrën dhe kur vdekja i varet në qerpik të syrit. Në rrjedhë të ndërtimit të moteve këtë e ka dëshmuar me qindra, me mijëra herë. Kjo i ka dhënë jetë jetës së njeriut tonë. I ka dhënë e do t’i japë“…

Kjo filozofi e urtë jete e kultivuar në gjirin e dashurisë, i cilëson gjithë bashkëatdhetarët e saj, të vjetër e të rinj, burra e gra: “Vatrës së shtëpisë dhe vatrës sonë u kemi borxh gjithçka“, – thotë Suta në një rast, sepse “vetëm në dheun tonë jemi ata që jemi e që duhet të jemi” – thotë plaku i urtë Lulash Gurra. Në këtë kontekst, simbolika e pragut të shtëpisë, e kopshtit të shtëpisë (asociacioni i Parajsës dhe Kopshtit të Edenit), ku Suta lexonte shumë libra, ndër të tjera edhe Biblën, e çon heroinën e romanit tek pragu i jetës dhe i vdekjes, tek raportet me njëra -tjetrën, dhe tek raportet mes tyre e njeriut, të trajtuara në rrafshe psikologjike, filozofike e metafizike.

E tallazuar në vorbullën hamletiane, mbas tronditjes shpirtërore e flijimit që pëson, një zë i brendshëm i thotë Sutës: “Tëndën e bëre, jepi fund jetës! Lëshoju në krahët e qetësisë së përjetshme! Hapi udhën prehjes së shpirtit që gjakon secila qenie njerëzore“. Mirëpo ajo vazhdon jetën, sepse ka besim në Zotin dhe ngadhnjen mbi vdekjen “më mirë zvarritu, barte frymën edhe më tej; jeto për të rrëfyer për atë që ka ndodhur (…) të vuash për t’i dhënë kuptim jetës, domëthënë të përligjësh dinjitetin, madhërinë. Secili që kryqëzohet për të tjerët, ngjallet në dritën e hirit të Hyjit(…). Jeta gjithmonë është jetë, edhe kur mbytet në vuajtje. Ti pësove për njerëzit e tu. Kjo e përligj dashurinë tënde“.

Kështu Suta përfaqëson heroinën tragjike të veprës në kuptimin e gjerë të fjalës, mbasi ajo është viktimë e fatit të saj; shprehet karakteri tragjik i personazhit, rrjedhojë e konfliktit të pashmangshëm të idealit me realitetin: i fisnikërisë, virgjërisë, epërsisë morale, vlerave e urtësisë kundruall ferrit antinjerëzor, që përfaqësonte mizoria dhe egërsia armike gjatë Luftës së Kosovës.

Veçantia e tri shtresimeve të rrëfimit

Tërë tragjikja romanore ngjet e rrëfehet para shtëpisë së djegur, para hirit e shkrumbit të saj, para eshtrave të gjetur. Kjo simbolikë e rrëfimit, që shpreh botën e brendshme të Sutës dhe të personazheve të tjerë, në roman realizohet në tri nivele (Esat Kamberi).

1. Rrëfimi që shpreh drejtpërdrejt gjendjen dhe përjetimin e Sutës, kur arrin (pas dëbimit me dhunë) para shtëpisë së djegur e që lidhet me tragjedinë familjare (gjen eshtrat e Nënës Rozafë dhe të Gjyshes në dhomat e djegura të shtëpisë dhe eshrat e një ushtari të panjohur).

2. Rrëfimi për jetën gjatë luftës, me pasojat dhe tragjedinë kolektive të shqiptarëve të Kosovës shkaktuar nga policia, nga paraushtarakët dhe nga ushtria serbe, dhe
3. Rrëfimet e Nënë Rozafës, Bul Kreshpanit, Lulash Gurrës, Drinas Shanit, Galës, burrit nga Peja, që poashtu provojnë dimensionin e gjerë të tragjikës, individuale e kolektuve, të pësuar në luftë.

Pra rrëfimi te “Ferri i lodhur” ecën paralelisht në dy sekuenca kohore: në atë të tashmen, kur heroina Sutë Sutorja, si personifikim i lirisë, si personifikim i Kosovës dhe triumfit, kthehet në shtëpi pas rrugëtimit të gjatë për t’u shpëtuar ndjekjeve të ushtrisë serbe dhe në të kaluarën, nëpërmjet kujtimeve të ngjarjeve, mbresave, bisedave me personazhe të tjera të romanit; është drama shpirtërore që përjeton heroina e romanit, dramë e cila përbën objektivin artistik të veprës. Mirëpo duhet theksuar se qenësia e rrëfimeve të Sutës përkatësisht të vetë autorit, Berisha, që ka një përvojë të pasur krijuese – letrare dhe teorike që e njeh me rrënjë simbolikën biblike dhe semiotikën, por edhe Biblën, nga e cila është ndikuar fuqishëm Letërsia e Perëndimit (N. Frye), lëviz në trekëndshin: liria-e vërteta-dashuria (P. Buzhala).

Pse Ferri i lodhur?

Dihet se ekziston ferri biblik dhe ferri kuranor. Fjala ferr “gehene” në letërsinë apokaliptike, paralelelisht me fjalën “hades” – sinonim tashmë i helenizuar i s h e o l i t të dikurshëm “Gehene” është shtrembërim dhe greqizim i shprehjes hebraike “hinome” – emërtim i një lugine me të njëjtin emër në Jug të Jeruzalemit. Për dallim nga kjo, “Ferri i lodhur” i Berishës është diçka tjetër, sepse, edhe sipas Korradinit, ai është i lodhur duke rrasur e ngjeshur në vorbullën e shkëndijave të veta të gjithë ata që kanë vijuar, në jetë, të endin, ne fillin e zi të thanatosit, ngjarje dhune dhe shtypjesh, histori ku njeriu bëhet ujk midis qengjave, që do bëhen therorë, ngjarje ku padrejtësitë shkojnë e u shtohen padrejtësive dhe ngjallin zemëratë dhe jo nënshtrim, ndodhi ku përshkelët dinjiteti i njeriut dhe ai detyrohet të shkojë e të strehohet në skajet fundore të jetës, në banesën e vetmuar të vetëdijes. Po, sepse ferri është i lodhur së shpërthyeri shkëndija. Dhe duke dëshiruar qetësinë, do të shuhet dhe mbetet bosh…

“Ferri i lodhur” është një roman shtresimesh dhe vlerash të shumta, ku vezullon stili, gjuha, origjinaliteti i veçantë, ku rrëfehet për Udhën e Kryqit të Sutës, të Kosovës, emri i së cilës lartohet në majat e kozmogonisë…