VIZITË NË KK TË KAMENICËS DHE NË SHKOLLËN “SKËNDERBEU” TË HOGOSHTIT, KU U ORGANIZUA NJË ORË LETRARE

0
1020

Shkruan Hajrush Redenica, shkrimtar – Më 27.02.2018

Një delegacion shkrimtarësh, poetësh e publicistësh të përbërë nga Prof. Zymer Mehani nga Besiana, Prof. Behram Hoti nga Skenderaj, Prof. Rexhep Abazi nga Medvegja, nga poeti Hajrush Redenica nga Kika, me vendbanim në Prishtinë, dhe nga Prof. Vesel Sabedini nga Bujanovci, vizituan komunën e Kamenicës.

Fillimisht na priti Kryetari i Komunës së Kamenicës z. Qëndron Kastrati. Kjo ishte një pritje e ngrohtë dhe e përzemërt nga një kryetar shumë i ri në moshë, por shumë i dashur për të gjithë. Pas një elaborimi që bëri kryetari për mbarëvajtjen e punëve në komunë, ne u njoftuam me synimet e tij që për qytetarët e Kamenicës të punohet në maksimum, në mënyrë që të lehtësohet sado kudo jeta e tyre në të gjitha fushat.

Ne poetët nga KK i Kamenicës vazhduam rrugëtimin e tyre për në Fshatin Hogosht, në SHF&MU “Skënderbeu”, ku morëm pjesë në një orë letrare, të organizuar në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës. Aty na pritën drejtori Ii shkollës, z.Qemajl Biçku dhe mësimdhënësit me nxënësit e kësaj shkolle. Edhe kjo ishte një pritje e ngrohtë dhe e përzemërt. Fillimisht poetët u njoftuan me historikun e kësaj shkolle, ku mësuam se kjo shkollë me krenari emërtohet “SKËNDERBEU”,me emrin e kryheroit tonë kombëtar.

Veprimtarinë e saj edukativo-arsimore kjo shkollë I kishte filluar qysh prej 15/11/1941 kur filloi t’ua mësojë nxënësve shkronjat e para shqipe mësuesi i parë, normalisti i Elbasanit, mësuesi Fadil Hoxha. Drejtori i parë ishte Rahim Rahimaj, për të vazhduar deri në vitin 1944, ku për shkaqe lufte kjo vatër mësimore e ndërpreu veprimtarinë e saj, për t’ u rihapur pas një viti, më 1945 dhe deri më sot nuk e ndërpreu veprimtarinë edukativo-arsimore kjo vatër shkollore. Kjo shkollë gjatë viteve ka dhënë shumë kuadro të profilesh të ndryshme.

Shkolla fillore e Hogoshtit deri në fillim të vitit 1966 / 1967 është quajtur “KIKA”, ku pas vitit 1967 kjo shkollë mori emrin “Skënderbeu”. Kjo shkollë deri në vitet e tetëdhjeta i kishte 1150 nxënës, e sot në Hogosht ka120 nxënës, në Lisock 10 nxënës, në Gjurishevc 3 nxënës, në Dazhnicë 5 nxënës, në Kopernicë 65 nxënës. Pra, gjithse në gjirin e vet, bashkë me FNF Shkolla “Skënderbeu” ka 203 nxënës me 47 mësimdhënës dhe 9 punëtorë ndihmës.

Pasi filloi ora letrare me nxënësit e kësaj shkolle, drejtori i shkollës z. Qemajl Biçku i njoftoi nxënësit me musafirët. Fillimisht poetët e morën fjalën dhe recituan nga një poezi, pastaj fjala iu dha nxënësve që edhe ata vetë të paraqiten me poezitë e tyre, që vetë i kishin krijuar. Vërtet ishte kënaqësi t’i dëgjosh ata fatosa me një zë bilbili. Disa prej tyre ishin Bleona Musliu, me poezinë kushtuar heroit tonë të kombit, Metush Krasniqi; Leonesa Latifaj, me poezinë “Nëna ime”, për të vazhduar me vargje pastaj edhe Leonita Kastrati, Milot Musliu me poezinë “Gjyshi im”, Frostina Ahmetaj me poezinë “Kosovë, vendi im”, Rinesa Agaj me poezinë “Nëna e dashur”, Aurora Latifaj me poezinë “Tetë marsi”, Landri Biçku me poezinë “Pranvera”.

Poetët, pasi shpërdanë disa libra për bibliotekën e shkollës, vazhduan rrugën për në bibliotekën e fshatit, ku u pritën nga nëpunësja e bibliotekës z .Mejreme Xhaqku- Dërmaku. Poetët dhuruan mbi 20 tituj të ndryshëm. Dominuan kryesisht librat e autorit z. Hajrush Redenica me 13 tituj, katër, të quajtura “Kika” dhe nëntë libra poetikë për fëmijë dhe të rritur.