Vonesa e ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, Donald Lu fajëson opozitën: Ata kanë frikë

0
412

TemA

Dy shkaqet që vonuan ngritjen e institucioneve si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë zgjidhur tashmë, thotë Donald Lu.

Në një deklaratë ekskluzive për Top Channel ambasadori amerikan i përgjigjet pyetjeve se çfarë po e vonon ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Vonesat kanë ardhur për dy arsye.
E para, ishte kundërshtimi i ligjit të Vettingut nga opozita.
Ata e humbën këtë sfidë.

E dyta, ishte vonesa në gjetjen e kandidatëve të kualifikuar jashtë sistemit të drejtësisë për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së.
Tashmë, të dyja këto çështje janë zgjidhur.
Kandidatët për këto institucione janë duke kaluar në procesin e Vettingut. Ata do të jenë funksionalë shumë shpejt”, tha Donald Lu.

Asnjë habi nga ambasadori Lu për ata që nuk e kanë optimizmin e tij.
“Nuk është për t’u habitur që politikanët vazhdojnë të kritikojnë dhe të mbjellin dyshime për këto struktura.
Ata ishin dikur të paprekshëm. Tani ata kanë frikë”, thotë Lu.

Ambasadori amerikan e deklaroi reformën në drejtësi si pikë kryesore të misionit diplomatik që në ditën e tij të parë në Shqipëri.
Prej zotit Lu kanë ardhur deklaratat më të forta për politikanë, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, për banda dhe grupe kriminale si dhe për dekriminalizimin e politikës.